Importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit, rritje me 2.1 % në maj
Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 2.1 % në muajin maj të këtij viti
Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 2.1 % në muajin maj të këtij viti, duke arritur në 21.5 miliardë lekë nga 19.7 miliardë lekë që ishin në majin e 2023-shit.
Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.
Ndërkohë gjatë pesëmujorit të këtij viti në total importet e kësaj kategorie llogariten 99.3 miliardë lekë nga 86.6 që ishin gjatë 5-mujorit të 2023-shit.
Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Gjermania janë partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie.
Gjithsej nga Italia gjatë 5-mujorit u importuan rreth 18.9 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Nga Kina u importuan 15.8 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 10 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Investimet e Huaja Direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato shënuan vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë.
Shtimi i investimeve të huaja direkte po mbështetet fort nga forcimi i monedhës kombëtare, lekut, në kursin e këmbimit valutor në tregun e brendshëm. (ATSH)