Kërcënimet nga trafikimi i qenieve njerëzore, Policia konferencë me EUROPOL
Marrin pjesë rreth 60 përfaqësues dhe drejtues kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga 44 agjenci të ndryshme
Policia e Shtetit dhe EUROPOL-i organizuan sot në Tiranë Konferencën Plenare Multidisiplinare Europiane kundër Kërcënimeve Kriminale nga Trafikimi i Qenieve Njerëzore.
Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 60 përfaqësues dhe drejtues kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga 44 agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit të vendeve të Europës dhe organizata ndërkombëtare, përshirë Shqipërinë.
Policia e Shtetit sqaroi se konferenca synon të diskutojë praktikat më të mira në fushën e kërcënimeve kriminale nga trafikimi i qenieve njerëzore, si dhe lidhjet me krimin e organizuar, trafikimin e lëndëve narkotike dhe kontrabandën e migrantëve.
Në nisje të saj, Konferenca Plenare u përshëndet nga zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, e cila theksoi rëndësinë e parandalimit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Konferenca është dëshmi e angazhimit të Policisë së Shtetit në rritjen e forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe goditjen e krimit ndërshtetëror. Gjatë punimeve, Policia e Shtetit do të paraqesë gjendjen aktuale, angazhimin dhe përpjekjet e saj në përballje me trafikimin e qenieve njerëzore.
Konferenca Plenare e Platformës Multidisiplinare Europiane kundër Kërcënimeve Kriminale nga Trafikimi i Qenieve, organizuar nga Policia e Shtetit dhe EUROPOL-i, është aktiviteti i dytë i përmasave të mëdha që zhvillohet në Tiranë brenda pak kohësh, pas Konferencës së 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën javën e shkuar. (ATSH)