EURO 2024, Xhepa: Kontribut pozitiv në ekonomi
Kampionati Europian i Futbollit 2024 nuk është thjesht një lojë, por një ngjarje me rëndësi edhe për ekonomitë e shumë bizneseve që po u shërbejnë mijëra tifozëve
Kampionati Europian i Futbollit 2024 nuk është thjesht një lojë, por një ngjarje me rëndësi edhe për ekonomitë e shumë bizneseve që po u shërbejnë mijëra tifozëve.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa në një intervistë në medie, thotë se ai kontribuon pozitivisht edhe në ekonominë e vendit.
“Është si një festë e gjatë. Në festat e fundvitit apo evenimente të rëndësishme ka një gjallërim të jetës, edhe asaj ekonomike, që do të thotë që qytetarët konsumojnë më shumë, turizmi konsumon më shumë, çka jep një lloj shtytje, krijon një dinamikë pozitive ekonomike. Nëse dikur vetëm ngjarja e Vitit të Ri ishte eveniment dhe kishte një rol të rëndësishëm, tani kemi një festë shumë më të gjatë e cila mund të luajë një rol jo aq modest sa luajnë rastet e episodeve që janë të shkurtra në kohë”, shprehet Xhepa.
E kur vjen puna për çmimet e produkteve të ndryshme në ngjarje të tilla të rëndësishme, Xhepa thotë se bizneset duhet të tregohen të kujdesshme me strategjitë e tyre.
“Raste të tilla shndërrohen edhe në episode për të abuzuar, pra për të rritur artificialisht çmimet dhe për të krijuar një mundësi për të pasur fitime përtej normave. Sigurisht që kjo nuk është një gjë e mirë dhe në fakt edhe si strategji biznesi nuk qëndron sepse normalisht që njerëzit mund të shpenzojnë më shumë me çmime më të ulëta se sa më çmime më të larta, ç’ka do të thotë se fitimet nga rritja e sasisë së shitjes do të ishin më të mëdha se sa nga kufizimet që krijon sepse në fakt krijon një lloj nervozizmi tek blerësit në momenti që përballet me një çmim të deformuar. Ndaj është një strategji jo e këshillueshme biznesi”, deklaroi ai.
Gjatë gjithë kampionatit “Euro 2024”, baret dhe restorantet, por dhe “Fan zonat” e shumta arkëtojnë të ardhura të konsiderueshme falë kësaj ngjarjeje në sportin e futbollit. (ATSH)