Marrëveshja e pensioneve me Italinë, në korrik nis zbatimi
Nga muaji korrik e në vazhdim, emigrantët shqiptarë në Itali do të përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve.
Nga muaji korrik e në vazhdim, emigrantët shqiptarë në Itali do të përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve.
Ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore, është botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas relacionit që shoqëron këtë ligj, shteti italian do të njohë dhe do të llogarisë kontributet shoqërore që këta emigrantë derdhin nga puna e tyre për efekt pensioni.
Kjo marrëveshje është nënshkruar që në shkurt të këtij viti, midis ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe atij të Italisë.
Pas miratimit, marrëveshja nuk zbatohet vetëm për pensionet e pleqërisë por shtrihet edhe tek përfitimet e invaliditetit, pensionet familjare, sigurimin nga sëmundjet, barrëlindja dhe papunësia.
Për procedurë, emigrantët shqiptarë që janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali.
Rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe shtetas italianë që janë të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pritet të përfitojnë nga njohja reciproke e pensioneve.
Marrëveshja bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet.
“Bashkimi i periudhave për qëllimet e fitimit, ruajtjes ose rikuperimit të së drejtës për përfitime në para, të parashikuara nga kjo Marrëveshje, periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen”, citon ligji i botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas marrëveshjes, një person që ka 10 vite pune në Shqipëri dhe 15 vite pune në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vite që mund të ketë derdhur kontribute atje. (Marrë nga ATSH)