Gonzato: Reforma në drejtësi, po jep rezultate konkrete për Shqipërinë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë: Reformat nuk kanë të bëjnë thjesht me ligjet – ato kanë të bëjnë me njerëzit dhe me ndryshimin e mentalitetit
“Reformat nuk kanë të bëjnë thjesht me ligjet – ato kanë të bëjnë me njerëzit dhe me ndryshimin e mentalitetit”, u shpreh sot ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës.
“Me reformën në drejtësi, që tashmë po jep rezultate konkrete për Shqipërinë, kontributi i tyre tani është thelbësor për pakthyeshmërinë dhe suksesin e saj të vazhdueshëm”, theksoi Gonzato.
“Doja shumë të isha sot me të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës, pasi ata përfaqësojnë të ardhmen dhe janë fytyra e sistemit të ri shqiptar të drejtësisë që doli nga reforma e 2016-ës. Arritja e tyre më e madhe do të jetë t’ua dëshmojnë atyre që ende kanë dyshime se drejtësia shqiptare sot është vërtet e pavarur, e shërbyer nga gjyqtarë dhe prokurorë që mishërojnë nivelet më të larta të integritetit. Kjo do të kërkojë aftësitë e tyre më të mira profesionale dhe njerëzore. Ne jemi krah jush”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
(ATSH)