“Mbreti i natës”, Dren Abazi sërish në Tiranë
Artisti premton dy orë koncert me muzikë live. Dren Abazi dhe orkestra e tij rrëfen 15 vite histori të muzikës së shpirtit.
Si një surprizë unike, Dren Abazi, çdo here që troket në Tiranë me muzikën e tij, kërkon të sjellë meloditë e tingujt e shpirtit, fjalët që rrëmejnë zemra dhe performanca që kthehen në muza që i rrëfejnë atij për klipin e radhës.
Kështu do të ndodhë edhe mbrëmjen e 4 korrikut në SPECTAPOLIS, pasi në skenë Dren Abazi ngjitet bashkë me orkestrën e tij për të ofruar dy orë muzikë live në një koncert që do t’ju dërgojë në një botë tjetër atë të muzikës së mirë.
Dren Abazi u bë i njohur që me produksionin e parë që publikoi. Jorgjica tërhoqi vëmendjen e të gjithëve teksa interpretohej nga ai dhe Zig Zag Orchestra. Pastaj me një ndër kryeveprat e muzikës shqiptare i thërriste shqiptarët drejt një shtegu artistik ku “i dehur jam” nënkuptonte pas edhe “zjarr edhe akull”. Prej më shumë se 15 vitesh, këngët e tij vijojnë të zgjojnë të njëjtën ëndërr në publik. Me krijimet e tij të mëvonshme, ai do të shndërrohej në “mbretin e natës” që për pak vite arriti të lërë “pa frymë” ata që kërkonin muzikën e mirë mbrëmjeve.
Për të takuar “Mbretin e natës”, nën fuqinë magjike të muzikës dhe “hanës” SPECTAPOLIS ju pret të enjten më 4 korrik në Stadiumin “Selman Stërmasi”. Hyrja pa asnjë kosto është njëlloj si estetika që ofron përmes interpretimit Dren Abazi dhe orkestra e tij. Merrni miq, në mos, mjafton shpirti dhe zemra që kërkon muzikë. Edhe nëse nuk ka hanë në qiell, do të ketë me Dren Abazin në SPECTAPOLIS, 4 korrik, ora 20.00. Ju mund të jeni yjet!