Begaj në Varshavë, takime me drejtuesit e dy dhomave të ligjvënësve polakë
Gjatë qëndrimit në Varshavë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi takime të veçanta me drejtuesit e dy dhomave të ligjvënësve polakë.
Gjatë qëndrimit në Varshavë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi takime të veçanta me drejtuesit e dy dhomave të ligjvënësve polakë.
Presidenti Begaj u prit fillimisht nga kryetari i Parlamentit, Szymon Hołownia dhe më pas nga kryetarja e Senatit, Małgorzata Kidawa-Błońska.
Bisedat u fokusuan në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë, të vlerësuara në nivel të shkëlqyer politik, si dhe në nevojën e bashkimit përballë sfidave të epokës, me të cilët përballen dy shtetet që mbrojnë vlera të përbashkëta europiane.
Presidenti i Republikës shprehu bindjen për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Për sa i përket mbështetjes së Polonisë ndaj Shqipërisë për Integrimin në BE, Presidenti Begaj theksoi se, shpreson në nxitjen dhe përshpejtimin e këtij procesi kur Polonia të marrë Presidencën e Këshillit Evropian në fillim të vitit 2025.
Kreu i Shtetit vlerësoi njohjen nga ana e Polonisë te shtetit të Kosovës duke qenë një ndër vendet e para dhe kërkoi vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike në një të ardhme sa më të afërme.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi edhe një ceremoni nderimi pranë varrit të Ushtarit të Panjohur në Varshavë, ku vendosi një kurorë me lule.