Lamtumira e fundit për Kadarenë, Rama: Përcillet nën hijen e shenjtores Nënë Terezë, shqiptari që i takon botës
Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalën e rastit në ceremoninë e lamtumirës së fundit të shkrimtarit, gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë.
Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalën e rastit në ceremoninë e lamtumirës së fundit të shkrimtarit, gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë.
Pas homazheve në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ceremonia e përcjelljes vijoi me himnin kombëtar dhe fjalën e Kryeministrit që siç u shpreh ai, ia kishte kërkuar bashkëshortja e Kadaresë, Helena.
Rama u ndal tek rastësia e dekorit me simbolet e Nënë Terezës që ndodheshin aty për një shfaqje ndërsa protokolli organizonte homazhet për shkrimtarin.
“Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore, ishte këtu, kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do i shkonte mendja, çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj shqiptares që i takon botës, asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës”, u shpreh Rama.
“Duke e pas njohur e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë në mbrojtje, nga të tërë ata, shumë që se donin, po dhe nga ata jo pak që e donin, po s’do t’i donte asesi rrotull përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, tha Rama.