Xi në Kazakistan dhe e ardhmja e ndërlidhur Euro-Aziatike

Duke e quajtur “unik” partneritetin Kinë-Kazakistan, Xi tha se miqësia e dy kombeve është forcuar me kalimin e kohës dhe është një shembull solidariteti, përfitimi reciprok dhe suksesi i ndërsjellë midis vendeve fqinje.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Presidenti kinez Xi Jinping mbërriti në Kazakistan më 2 korrik për një vizitë shtetërore dhe për të marrë pjesë në Takimin e 24-t të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Kjo është vizita e pestë e Xi në Kazakistan dhe e dyta në më pak se dy vjet, pas vizitës së tij të mëparshme shtetërore në shtator 2022. Duke e quajtur “unik” partneritetin Kinë-Kazakistan, Xi tha pas mbërritjes së tij se miqësia e dy kombeve është forcuar me kalimin e kohës dhe është një shembull solidariteti, përfitimi reciprok dhe suksesi i ndërsjellë midis vendeve fqinje.

Astana është një qytet që mbart simbolikë të veçantë. Ishte pikërisht Astana në vitin 2013 vendi ku Xi propozoi për herë të parë nismën e “Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit” që më vonë u njoh botërisht si nisma “Një brez, një rrugë” ose BRI.

Kinë-Kazakistan, një marrëdhënie e veçantë


Presidenti kinez Xi Jinping takohet me homologun kazak Kassym-Jomart Tokayev (Foto:Xinhua)

Avionët luftarakë kazakë lëshuan fjolla tymi me ngjyra, ndërsa presidenti kazak Kassym-Jomart Tokayev mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për presidentin Xi në kryeqytetin e Kazakistanit. Ndërsa fluturonin mbi pallatin presidencial, një grup prej gjashtë avionësh lëshuan gjurmë tymi në të kuqe dhe të verdhë, që përfaqësonin flamurin kombëtar kinez. Në aeroport u shtrua një qilim blu për presidentin Xi Jinping. Bluja është ngjyra e flamurit kombëtar të Kazakistanit. Në kulturën kazake, bluja përfaqëson qiellin dhe mbahet me respektin më të lartë.

Para udhëtimit u publikua një artikull i nënshkruar nga Xi në Kazakhstanskaya Pravda dhe Kazinform, në të cilin u theksua partneriteti i qëndrueshëm dhe përherë në zhvillim midis Kinës dhe Kazakistanit. Presidenti kinez reflektoi në artikull historinë e rrënjosur thellë dhe potencialin e marrëdhënieve Kinë-Kazakistan. Në artikull kujtohen lidhjet e gjata që datojnë që nga Rruga e lashtë e Mëndafshit dhe theksohen momente të rëndësishme bashkëpunimi dhe mbështetjeje reciproke. Ai rrëfen misionet e hershme diplomatike që hapën dyert e miqësisë dhe shkëmbimet kulturore që pasuan. Xi vëren se njohja nga Kina e pavarësisë së Kazakistanit mbi tre dekada më parë shënoi fillimin e një udhëtimi të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Duke parë nga e ardhmja, artikulli përshkruan një plan me disa pika për përmirësimin e marrëdhënieve Kinë-Kazakistan. Duke nisur nga mbështetja politike, bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet kulturore dhe njerëzit si dhe sfidat dhe mundësitë globale. Nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta, Xi beson se Kina dhe Kazakistani mund të krijojnë një forcë të fuqishme për ndryshime pozitive dhe stabilitet në botë.

Në Kazakistan vizita e Presidentit Xi është parë nën lupën e një rëndësie të veçantë sepse nënvizon angazhimin e Kinës për bashkëpunimin rajonal. Vizita rrit lidhjet diplomatike, promovon bashkëpunimin ekonomik dhe forcon unitetin dhe efektivitetin e OBSh-së. Prania e Presidentit Xi në samit nxjerr në pah vizionin e Kinës për një rajon më të ndërlidhur dhe më të begatë.

Angazhimi i Kinës për të përmirësuar lidhjen shtrihet përtej marrëdhënieve të saj dypalëshe me Kazakistanin. Nën “Një brez, një rrugë”, Kina po drejton projekte të shumta infrastrukturore në të gjithë Azinë Qendrore për bashkëpunim të favorshëm dhe prosperitet të përbashkët në të gjithë rajonin. Një shembull kryesor është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Kinë-Kirgistan-Uzbekistan, e arritur në fillim të qershorit. Pasi të përfundojë, kjo hekurudhë do të shkurtojë ndjeshëm kohën e nevojshme për transportimin e produkteve të Azisë Qendrore në tregjet kryesore globale. Ai gjithashtu do të lehtësojë integrimin e Azisë Qendrore në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit, duke nxitur kështu zhvillimin rajonal.

Kina në euroazi dhe nismat e Pekinit për fatet e ndërthurura dhe të ndërlidhura


Një tren i mallrave midis Kinës dhe Azisë Qendrore nis nga qyteti Jinhua, provincë Zhejiang, Kinë Lindore, 2021 (Foto:VCG)

Për më shumë se një dekadë, Kazakistani ka investuar në mënyrë thelbësore për të përmirësuar rrjetin e vet të transportit, por për shkak të disa kufizimeve në shumë vende fqinje, boshllëqet kanë qenë të vështira për t’u mbushur. Për këtë, nisma kineze “Një brez, një rrugë” ka ofruar shumë, jo vetëm për Kazakistanin, por edhe gjithë fqinjët e tij në Azinë Qendrore.

Fokusi i “Një brez, një rrugë” në zgjerimin e infrastrukturës së transportit dhe integrimit ekonomik, përpjekjet e Kinës për të lidhur rajonet e saj perëndimore dhe qendrore në mënyrë më efektive me Evropën dhe Azinë Perëndimore ofrojnë një mundësi për të adresuar shumë kufizime dhe boshllëqe, shënon një raport i Bankës Botërore.

Bota ka nevojë për rreth 4 trilion dollarë në vit, për fonde infrastrukturore . Kina është përpjekur me anë të “Një brez, një rrugë” ta plotësojë këtë boshllëk, por nuk mund ta bëjë e vetme, prandaj nevojiten iniciativa me shumë anëtarë. Vendet mund të rriten organikisht nëse atyre ju jepen mjetet e duhura për ta bërë këtë. Rritja, zhvillimi e avancimi krijojnë shpresë dhe shpresa i largon njerëzit nga konflikti… dhe se kjo është çfarë Kina po përpiqet të bëjë dhe të promovojë.

Por, “Një brez, një rrugë” nuk është vetëm në fushën e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, kontinental dhe global. Dy vjet më parë, në prill 2022, Xi Jinping prezantoi idenë mbi “Nismën e Sigurisë Globale ” (ose GSI) në fjalimin e tij në Forumin Boao. GSI është një nga tre nismat kryesore të propozuara nga Kina që përfshin gjithashtu Nismën e Zhvillimit Global (GDI), e prezantuar në shtator 2021 dhe Nismën e Qytetërimit Global (GCI), e prezantuar në mars 2023.

Në shtator 2023, shumë prej elementëve kryesorë të GSI-së u shfaqën dukshëm në propozimin e Kinës për të përmirësuar qeverisjen globale dhe po atë muaj, GSI dhe nismat e tjera globale u inkorporuan zyrtarisht në konceptin e “komunitetit të së ardhmes së përbashkët” të Kinës dhe më pas u identifikuan si “udhëzim strategjik” për realizimin e tyre. Shkurtimisht, GSI pasqyron dëshirën e Kinës për të vënë në veprim idetë e saj në lidhje me sfidat dhe qeverisjen globale të sigurisë.

GSI është tashmë dy vjeç dhe ka patur kohë të shqyrtohet dhe të vlerësohet. Përmbajtja e GSI është pranuar nga shtetet e tjera si një nismë për të adresuar “deficitet në paqe, zhvillim, siguri dhe qeverisje”. Koncept dokumenti GSI-së i vitit 2023 përshkruan qëllimet e larta deklarative të nismës: eliminimi i shkaqeve rrënjësore të konflikteve ndërkombëtare, përmirësimi i qeverisjes globale të sigurisë, rritja e stabilitetit global dhe realizimi i paqes së qëndrueshme botërore dhe zhvillimi.

Në kuadër të OBSh-së dhe koncepti “Shpirti i Shangait”


Takimi i 24-t i Këshillit të Kryetarëve të OBSh-së, 4 korrik 2024, Astana, Kazakistan (Foto:Xinhua)

Vizita e Xi në Kazakistan synon të forcojë impaktin dhe suksesin e OBSh-së. Institucioni është krijuar në mënyrë që të garantojë gjithëpërfshirjen, pasi të gjitha shtetet anëtare të kenë të drejtën e vetos. Popullsia totale e shteteve anëtare të OBSh përfaqëson gati gjysmën e popullsisë globale dhe territori i tyre i kombinuar përbën një të katërtën e sipërfaqes tokësore të botës. OBSh tani ka 10 anëtarë (me bjellorusinë që u shtua e fundit në 3 korrik), 2 shtete vëzhguese – Afganistani dhe Mongolia, dhe 14 partnerë të dialogut, duke përfshirë Azerbajxhanin, Armeninë, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Këtë vit edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i cili po viziton Azinë Qendrore, mori pjesë gjithashtu në samit. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Pekini synon për konsensus të ri dhe solidaritet më të madh, paqe dhe prosperitet midis shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Qëllimi i OBSh-së është që të shërbejë si një platformë për avancimin e konceptit të bashkëpunimit të favorshëm, zhvillimit rajonal, multilateralizmit, tregtisë së lirë dhe krijimin e një ekonomie të hapur botërore.

Që nga fillimi OBSh-së, roli kryesues i Kinës i është përmbajtur parimit të mos shënjestrimit të vendeve të tjera duke nxitur një model bashkëpunimi të bazuar në partneritete pa aleanca dhe dialog pa konfrontim. Shtetet anëtare inkurajohen të mbështesin “Frymën e Shangait”, duke promovuar paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin pa formuar grupe ekskluzive ose pa u angazhuar në manovra gjeopolitike.

Ata nxiten të punojnë në mënyrë aktive drejt vendosjes së marrëdhënieve të reja ndërkombëtare të bazuara në respektin reciprok, drejtësinë dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.

Fjakët kyçe të nxjerra nga Pekini për OBSh-në janë përsëritur në disa dokumente shtetërore si; mbështetja vazhdimisht e parimeve të hapjes, barazisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës në ndërveprimet e saj të jashtme, duke zgjeruar vazhdimisht shtrirjen e saj gjeografike. Duke përfshirë partnerët e dialogut dhe shtetet vëzhguese, mbrohet më mirë tregtia dhe ka përpjekje për një ekonomi të hapur botërore, duke mbajtur një qëndrim të unifikuar kundër proteksionizmit.

“Shpirti i Shangait” reflekton përpjekjet për të promovuar multilateralizmin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Duke synuar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin, Kina po mundohet të ndërtojë një të ardhme të përbashkët, më të ndërlidhur dhe të begatë. Unitet në diversitet, kjo shënjon aspiratat e Shpirtit të Shangait” edhe pse jemi ndryshe, mund të mësojmë nga njëri-tjetri, dhe të punojmë me njëri-tjetrin, dhe kjo nis nga respekti i ndërsjellë.

Fjalimi i presidentit kinez në Astana


Presidenti kinez Xi Jinpng mban fjalim në takimin e liderëve të vendeve anëtare të OBSh-së, 4 korrik, 2024 (Foto:Xinhua)

Në një fjalim kryesor gjatë Takimit të 24-t të Këshillit të Kryetarëve OBSh, presidenti kinez Xi Jinping u kërkoi vendeve anëtare të bashkohen kundër kërcënimeve moderne të sigurisë dhe hijeve të vazhdueshme të Mentaliteti i Luftës së Ftohtë. Thirrja e tij për një qasje kohezive dhe strategjike ndaj sigurisë dhe zhvillimit është veçanërisht tingëlluese pasi peizazhi ndërkombëtar pëson transformime të thella. Disa nga pikat kryesore të fjalimit u mbështetën në eksperiencën dhe realitetin por duke parë nga e ardhmja:

Një vizion për siguri gjithëpërfshirëse: Presidenti Xi theksoi domosdoshmërinë që anëtarët e organizatës të përqafojnë një vizion të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Duke vepruar kështu, argumentoi ai, shtetet anëtare mund të lundrojnë në mënyrë efektive sfidat komplekse dhe të ndërthurura të sigurisë që karakterizojnë botën bashkëkohore.

Konteksti historik dhe “Fryma e Shangait”: Duke reflektuar mbi origjinën e OBSh-së, Presidenti Xi vuri në dukje se organizata u themelua në një kohë kur konfrontimet dhe ndarjet e Luftës së Ftohtë ishin të pazgjidhura. Anëtarët morën një vendim historik për të ndjekur zhvillimin paqësor, për t’u përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe për të krijuar një lloj të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare. Kjo etikë themelore, e njohur si “Shanghai Spirit”, është bërë një vlerë e përbashkët dhe parim udhëzues për shtetet anëtare të OBSh.

Për t’ju përgjigjur një bote në ndryshim: Me OBSh-në që tani përfshin dhjetë shtete anëtare në tre kontinente, Xi nënvizoi se themeli për bashkëpunim brenda organizatës është më i fortë se kurrë. Ndërsa bota përballet me ndryshime të përshpejtuara të papara në një shekull, njerëzimi qëndron në një udhëkryq historik. Xi pohoi se OBSh-ja, duke qëndruar në anën e historisë dhe drejtësisë, ka një rëndësi të madhe në këtë kontekst.

Ruajtja e së drejtës për zhvillim: Xi u bëri thirrje anëtarëve që të ruajnë të drejtën për zhvillim mes rreziqeve reale të politikave izoluese dhe barrierave ekonomike. Ai theksoi rëndësinë e përfitimeve reciproke dhe gjithëpërfshirjes, duke u kërkuar anëtarëve të bashkëpunojnë për inovacionin shkencor dhe teknologjik, të mbajnë zinxhirë të qëndrueshëm dhe të qetë industrialë e të furnizimit dhe të stimulojnë ekonomitë rajonale drejt qëllimeve të përbashkëta të zhvillimit.

Uniteti kundër ndërhyrjeve të jashtme: Përballë ndërhyrjes dhe ndarjes së jashtme, Xi theksoi domosdoshmërinë që anëtarët duhet të konsolidojnë unitetin dhe të kundërshtojnë me vendosmëri sfida të tilla. Ai mbrojti një frymë të mbështetjes reciproke, duke akomoduar shqetësimet e njëri-tjetrit dhe zgjidhjen e dallimeve të brendshme nëpërmjet harmonisë dhe bashkëpunimit. Duke vepruar kështu, anëtarët e OBSh-së mund të sigurojnë që ata të mbajnë frenat e fateve të vendeve të tyre, paqen dhe zhvillimin e rajonit të tyre.

Angazhimi për solidaritet dhe koordinim: OBSh-ja ka tejkaluar provën e një peizazhi ndërkombëtar në ndryshim, falë angazhimit të saj për solidaritet, koordinim, barazi, përfitim reciprok, drejtësi dhe gjithëpërfshirje. Xi theksoi rëndësinë e qëndrimit besnik ndaj këtyre aspiratave origjinale dhe të mbështetjes së “Frymës së Shangait”.

Fjalimi i Presidentit Xi Jinping në samit ishte një thirrje për veprim, duke u kërkuar vendeve anëtare të adresojnë sfidat globale përmes unitetit, bashkëpunimit dhe një vizioni të përbashkët të sigurisë dhe zhvillimit.

Së fundmi, vizita e Xi në Astana simbolizon angazhimin e Kinës për të forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore në rajon. Nisma “Një brez, një rrugë” ka krijuar një platformë të fuqishme për zhvillim dhe integrim rajonal, ndërsa nisma të tjera si “Nisma Globale e Sigurisë” dhe “Nisma e Zhvillimit Global” tregojnë edhe një herë përkushtimin e Kinës për të luajtur një rol konstruktiv në qeverisjen globale. Ndërsa Kazakistani priti takimin e krerëve të shteteve të OBSh-së, prania e Xi nënvizon përkushtimin e Kinës për forcimin e institucioneve rajonale dhe promovimin e një vizioni të përbashkët për prosperitet dhe stabilitet. Në një epokë të përcaktuar nga fatet e ndërlidhura dhe ndryshimet gjeopolitike, vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Kazakistan kthen në qendër të vëmendjes rëndësinë e marrëdhënieve në Azinë Qendrore dhe dinamikat euro-aziatike.

Burimi: CRI.CN

“Goodbey, Lindita”, shfaqje teatrale e suksesshme e regjisorit shqiptar në Greqi

Ambasadorja Luela Hajdaraga ndjek shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Greqisë. Përgëzon aktorin dhe regjisorin Mario Banushi.

Global 360

Tajani: Qendrat në Shqipëri kundër emigracionit të paligjshëm u morën si shembull edhe nga BE

Anija italiane ”Libra”, me 16 migrantë në bord, zbarkoi sot në portin e Shëngjinit duke regjistruar grupin e parë të…

Diplovista

Rama për “Berliner Zeitung”: Sot jemi vendi me përparimin më të shpejtë drejt BE

Kryeministri shqiptar Edi Rama flet për ”Berliner Zeitung” për procesin e ngadaltë të anëtarësimit të vendit të tij në BE,…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“Goodbey, Lindita”, shfaqje teatrale e suksesshme e regjisorit shqiptar në Greqi

Ambasadorja Luela Hajdaraga ndjek shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Greqisë. Përgëzon aktorin dhe regjisorin Mario Banushi.