A mundet Kina ta sigurojë bashkëpunimin e SCO-së me Evropën?!

Mbledhja e 24-ët e Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO-The Shanghai Cooperation Organization), mblodhi më 3 dhe 4 Korrik (2024) autoritetet më të njohura politike të botës aziatike dhe jo vetëm në Pallatin e Pavarësisë në Astana të Kazakistanit


Nga Ben Andoni

Mbledhja e 24-ët e Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO-The Shanghai Cooperation Organization), mblodhi më 3 dhe 4 Korrik (2024) autoritetet më të njohura politike të botës aziatike dhe jo vetëm në Pallatin e Pavarësisë në Astana të Kazakistanit. Për herë të parë, samiti u mbajt në formën e një “Takimi i Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të SCO” dhe një takimi “SCO Plus”. Kina u përfaqësua nga presidenti Xi Jinping, që adresoi një fjalim të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit dhe botës; presidenti rus Putin, që tregoi qëndrimin e vendit të tij në kuadër të zhvillimeve të reja botërore; përveç tyre përfaqësuesit më të lartë të Kazakistanit, Indisë, Iranit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Uzbekistanit, Bjellorusisë (e cila iu bashkua zyrtarisht SCO-së gjatë samitit), Mongolisë, Azerbajxhanit, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Turqisë dhe vendeve të tjera, adresuan idetë e tyre. Rëndësinë e këtij aktiviteti e shtoi edhe pjesëmarrja e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, si dhe krerët e organizatave të ndryshme ndërkombëtare si CIS, OECD, CICA, CSTO dhe EAEC, të ftuar për të marrë pjesë në këtë takim të nivelit kaq të rëndësishëm.


Zhvillohet Takimi SCO+ në Astana, 4 korrik 2024, Kazakistan (Foto:Xinhua)

Në fakt, përkundrejt 23 viteve, kur iniciativë nisi me sfida më të vogla dhe duke vazhduar me oshilacionet e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare, sot, i ashtuquajturi “Shangai spirit” (Shpirti i Shangait) po fiton tejet njohje dhe rëndësi. Duket se SCO është shndërruar gradualisht nga një organizatë rajonale në një forcë me ndikim global, ku duket se ka një përpjekje të madhe jo vetëm të Pekinit zyrtar por edhe vendeve të tjera pjesëmarrëse për të treguar një pol tjetër zhvillimi. Një vëmendje të veçantë në Astana ka marrë Turqia dhe aspiratat e saj për anëtarësimin në organizatën BRICS.

Adresimi i presidentit Xi Jinping

Pritej me shumë kujdes dhe vëmendje fjala e presidentit Xi në takimin. Në fjalimin e tij në “Shanghai Cooperation Organization Plus”, Presidenti Xi parashtroi pesë propozime, duke theksuar: solidaritetin dhe besimin e ndërsjellë, paqen dhe qetësinë, prosperitetin dhe zhvillimin, fqinjësinë e mirë e miqësinë dhe, drejtësinë[1]. Këto propozime nuk janë vetëm një përmbledhje e përvojave të suksesshme të kaluara, por edhe një zgjedhje e nevojshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të ndryshme në të ardhmen, që na presin, theksoi ai.


Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në takimin e OBSh-së (Foto:Xinhua)

Duke bërë thirrje për kapërcimin e dallimeve dhe rritjen e besimit të ndërsjellë përmes komunikimit strategjik, Xi u bëri thirrje anëtarëve të SCO të forconin shkëmbimet mbi përvojën qeverisëse dhe madje të mbahej edhe një forum i partive politike të SCO në kohën e duhur. “Siguria e vërtetë mund të realizohet vetëm kur çdo vend është i sigurt”, theksoi presidenti Xi. Për këtë, ai përdori një fjalë të urtë kineze: “As edhe një mal apo qoftë edhe oqean nuk mund t’i mbaj larg dot njerëzit që ndajnë aspirata të përbashkëta”. Ai u kërkoi vendeve anëtare: të përshpejtonin ndërtimin e një qendre universale dhe degëve të saj për të adresuar kërcënimet dhe sfidat e sigurisë; të ndërtonin një qendër kundër narkotikëve; të forconin shkëmbimin e inteligjencës; dhe të kryenin operacione të përbashkëta për të mbrojtur sigurinë rajonale. Në mënyrë të përmbledhur: Një shtëpi e përbashkët e prosperitetit dhe zhvillimit. Presidenti Xi pohoi se: Kina ishte e gatshme të punonte me të gjitha palët për të zbatuar tetë hapat kryesorë në kuadër të bashkëpunimit me cilësi të lartë të iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe të promovonte bashkëpunimin rajonal përmes platformave, të tilla si baza demonstruese për shkëmbimin dhe trajnimin e teknologjisë bujqësore, demonstrimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar lokal e zonal, si edhe ngritjen e bazës së inovacionit të ekologjisë dhe mjedisit. Ai apeloi për të krijuar një platformë financimi brenda kuadrit të SCO dhe i mirëpriti të gjitha palët, që të mund ta përdornin Sistemin Satelitor të Navigimit BeiDou, ashtu si dhe të merrte pjesë në ndërtimin e stacionit ndërkombëtar të kërkimit shkencor hënor. Në këtë kuadër, Kina është e gatshme të ofrojë jo më pak se 1000 mundësi trajnimi për teknologjinë digjitale në tre vitet e ardhshme, tha presidenti kinez. Dhe, përvecc kësaj, sipas presidentit, ishte gati të ofronte platforma cilësore për vendet në SCO për t’u përfshirë në dialogun midis qytetërimeve.

OKB, thirrje SCO për multilateralizëm, mjedisin dhe IA


Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Guterres takohet me presidentin kinez në Astana, 4 korrik 2024 (Foto: Xinhua)

Me shumë rëndësi u përcoll edhe fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres, që adresoi faktin se ky është momenti për të riafirmuar një angazhim kolektiv ndaj multilateralizmit me OKB-në në qendër të saj, të udhëhequr nga parimet e përcaktuara në Kartën e OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe Deklaratën Universale së të Drejtave të Njeriut. “Qëllimi qendror i sistemit tonë shumëpalësh duhet të jetë paqja – një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gëzimin e të drejtave të njeriut”, tha z. Guterres[2]. Sekretari theksoi nevojën urgjente për paqen e menjëhershme në të gjithë Lindjen e Mesme, duke filluar me armëpushimin humanitar në Gaza, sipas parimit për një zgjidhje me dy shtete, duke theksuar se çdo ditë vdekjet dhe vuajtjet e fëmijëve në Gaza, ashtu si traumat e rënda të këtij rajoni. Guterres ngriti rëndësinë e paqes në Ukrainë bazuar në Kartën e OKB-së dhe Ligjin Ndërkombëtar, ashtu si bëri thirrje për paqe nga Sudani në Sahel, Republika Demokratike e Kongos në Somali, Mianmar në Haiti dhe Afganistan. Ai kërkoi krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në Afganistan që respektonte të drejtat e njeriut dhe përpjekjen që të integrohej në komunitetin ndërkombëtar, duke theksuar se të gjitha vendet duhet të bashkohen për të parandaluar që Afganistani të “bëhet sërish një vatër terrorizmi”. Ai nënvizoi dy kërcënime ekzistenciale për njerëzimin, ku i pari ishte urgjenca klimatike, duke thënë se: “viti 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar – por mund të jetë një nga vitet më të lezetshme të së ardhmes” duke shtuar edhe se: “Ndikimet grumbulluese të krizës tashmë po i godasin fort vendet tuaja, nga shkrirja e akullnajave deri te përmbytjet vdekjeprurëse, stuhitë, thatësirat dhe nxehtësia ekstreme. Nëse nuk veprojmë tani, kjo është vetëm një shije e asaj që do të vijë”, tha ai.

Në këtë kuadër, Guterres u kërkoi të gjitha qeverive të paraqesin kontribute të reja të përcaktuara në nivel kombëtar deri në vitin e ardhshëm. Këto plane duhet të përputhen plotësisht me qëllimin e kufizimit të ngrohjes afatgjatë globale në 1.5 gradë Celsius dhe të përfshijnë objektivat absolute të reduktimit të emetimeve për 2030 dhe 2035.

Kërcënimi i dytë ekzistencial, sipas Guterres, paraqitet nga teknologjitë digjitale. Ai bëri thirrje për angazhim të plotë të qeverive, duke punuar me kompanitë e teknologjisë, akademinë dhe shoqërinë civile, për të rënë dakord mbi kornizat e menaxhimit të rrezikut të AI dhe monitorimin dhe zbutjen e dëmit[3], tha ai.

Zhvillime interesante me Turqinë


Presidenti turk Erdogan takohet me homologun kinez Xi Jinping në Astana, 4 korrik 2024 (Foto: Xinhua)

Analistët treguan se nga gjërat më interesante në agjendë ishte dëshira e Turqisë për t’u bërë pjesë e BRICS-it, mekanizmi i bashkëpunimit ekonomik i vendeve si Rusia dhe Kina, së bashku me vende të tjera nga Azia, Afrika dhe Amerika Jugore. “Ideja e një platforme të re, që do të zhvillonte tregtinë e ndërsjellë mes vendeve që janë të ndara gjeografikisht, është tërheqëse për Turqinë dhe përputhet me politikën e saj të jashtme. Mendoj se ishte një mesazh për Putinin se Turqia nuk ka ndërmend të braktisë marrëdhëniet në rritje tregtare me Rusinë”, thotë Atilla Yesilada, analist politik në firmën “GlobalSource Partners”. Presidenti Putin është mbështetës i fortë i një anëtarësimi të Turqisë në organizatën BRICS. Analistët mendojnë se kjo është pjesë e strategjisë së Moskës për të ngritur zërin e vetë në çështjet tregtare.

Aplikimi i Turqisë për në organizatën BRICS vjen pasi përpjekja e saj shumë dekadike për anëtarësimin në Bashkimin Evropian vazhdojnë të jenë të pasuksesshme, për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut. Ky lloj ngërçi dëmton mundësitë e Turqisë për të bërë tregti, duke e shtyrë presidentin Erdogan që të kërkojë alternativa të tjera. “Luajti rol fakti se ishte tepër i zemëruar ndaj BE-së që nuk po përparon me anëtarësimin e Turqisë dhe nuk ka caktuar një datë për këtë”, thotë analisti Yesilada. Në fakt, kjo i shkon edhe objektivave të përgjithshme politike të Turqisë për të mos qenë e angazhuar në një bllok të caktuar politik, në Perëndim apo qoftë edhe në Lindje. Megjithatë, zhvillime më interesante priten javën që vjen në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, ku Stambolli zyrtar duhet të riafirmojë angazhimet e ndërmarra me Perëndimin në fushën e sigurisë.

Megjithatë, nga ajo që u pa në punime duket se SCO po rritet nga viti në vit, kurse “Deklarata e Astanës”, që doli në fund të këtij takimi tregoi një predispozitë dhe iniciativë që bën thirrje për solidaritet midis vendeve për të promovuar drejtësinë, harmoninë dhe zhvillimin botëror. Në dokument u theksua se ekziston një ndjenjë e thellë se SCO është e palëkundur në angazhimin e saj për të promovuar dhe konsoliduar paqen, sigurinë dhe stabilitetin gjithëpërfshirës, si dhe e angazhuar në ndërtimin e një rendi të ri politik dhe ekonomik ndërkombëtar të karakterizuar nga demokracia dhe drejtësia, duke luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në këtë proces. Siç tha presidenti Xi në fjalimin e tij, SCO qëndron në anën e duhur të historisë, drejtësisë dhe drejtësisë dhe ka një rëndësi të madhe për botën. Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres, u kërkoi pjesëmarrësve të shmangin fragmentimin e mëtejshëm, duke theksuar rëndësinë e unitetit global në adresimin e sfidave të përbashkëta dhe parandalimin e mosfunksionimit të multilateralizmit. Guterres theksoi se Samiti i ardhshëm i së Ardhmes, që do të mbahet në Nju Jork këtë shtator, do të marrë në konsideratë reformat thelbësore në arkitekturën financiare globale për të siguruar që ajo përfaqëson botën e sotme dhe i përgjigjet sfidave aktuale.

Ai vuri në dukje gjithashtu se reformat e propozuara në Këshillin e Sigurimit dhe një Agjendë e Re për Paqen do të ndihmonin në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, ribalancimin e marrëdhënieve gjeopolitike dhe për t’u dhënë vendeve në zhvillim një zë proporcional në skenën globale. Ai ftoi pjesëmarrësit të bashkohen në Samitin në Nju Jork.

Dhe, Shqipëria


Foto: VCG

Shqipëria nënshkroi në vitin 2017 një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën në kuadër të Iniciativës “Brezi dhe Rruga” (BRI). U konceptua si një përpjekje për të rritur bashkëpunimin dypalësh në fushat e infrastrukturës, kapaciteteve prodhuese, turizmit dhe bujqësisë. Koha do të tregonte se nga të dy palët ishte bërë shumë pak. Megjithatë, vizita e zëvendëskryeministrit kinez Zhang Gaoli më 17 prill 2017, bëri që të dyja palët që konfirmonin se Shqipëria ishte një vend i rëndësishëm përgjatë “Brezit dhe Rrugës”. Autoriteti i lartë Zhang kërkoi që të përshpejtoheshin negociatat dhe të bëhej nënshkrimi i një Memorandumi Ndërqeveritar Mirëkuptimi mbi BRI për të planifikuar dhe drejtuar më mirë bashkëpunimin dypalësh në mënyrë që të kishte rezultate më të frytshme. Asokohe, Zhang, siç citohej në një artikull të “Xinhua”, do të thoshte se: Kina dëshiron të jetë pjesë aktive në projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjetike shqiptare si rrugët, hidrocentralet dhe zonat e zhvillimit ekonomik dhe të forcojë bashkëpunimin në shkëmbimet kulturore dhe njerëzit, kinematografi, arsimin dhe turizmin. Gjërat do të ndryshonin vonë mes dy vendeve tona. U deshën plot pesë vjet pas vizitës së Zhang që Shqipëria të nënshkruante Memorandumin e Mirëkuptimit “Për krijimin e një grupi pune për bashkëpunim investues” në shkurt 2021 nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Ministri kinez i Tregtisë, Wang Wentao. Shqipëria duket se i është frikësuar ato që i ka konsideruar si dështime nga vendet e tjera të Ballkanit, që kanë rreth 120 projekte të lidhura me Kinën me vlerë pothuajse 32 miliardë dollarë në Ballkan, shumica e të cilave janë në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë.

Qysh në një studim të gati 15 viteve më parë, filluan të bëheshin parashikime për SCO, ku parashihej forca dhe e ardhmja e këtij organizimi. Megjithëse pak e njohur në Evropë, është bërë një organizatë rajonale dinamike, me ndikim dhe ambicioze, e shtrirë në një pjesë të madhe të kontinentit aziatik (Antonenko, 2007), duke theksuar se SCO mund të luajë një rol të madh në zhvillimin ekonomik të Azisë Qendrore, ku Kina ka një ndikim të madh dhe Evropës i intereson që Azia Qendrore të bëhet e begatë dhe e sigurt. Në rast të kundërt, theksohej nga studiuesja e mësipërme, kur bota nuk ishte në këto konjuktura, ku gjendet sot, Evropa mund të përballet me probleme nga rrjetet terroriste të bazuara atje, furnizimet e ndërprera të energjisë ose rritja e flukseve të emigrantëve të paligjshëm.


Astana, Kazakistan (Foto: VCG)

Dhe, kur mendon se Azisë Qendrore i duhet dalja në det, shtuar me potencialin e madh strategjik energjetik, SCO përfaqësonte një mjet potencial të dobishëm për të krijuar një rritje të fortë ekonomike rajonale, ku Kina në formën e një vendi lokomotivë, përmes saj, mund të ndikojë jashtëzakonisht në bashkëpunime. Por, rëndësia e këtij organizimi për Evropën është gjithashtu e madhe sepse në SCO përfshihen dy nga prodhuesit më të mëdhenj globalë të energjisë jashtë OPEC-ut, Rusia dhe Kazakistanin, si dhe dy nga konsumatorët më të mëdhenj potencialë, Kina dhe India (India është vetëm një e treta kurse Kina (para luftës dhe Rusia) është partnere tejet e rëndësishëm për BE-në. Ndërsa BE-ja sigurisht me kohë do t’i kushtojë më shumë rëndësi partneriteteve dypalëshe me Kinën, një dialog SCO-BE mund të ndihmojë në përforcimin e këtyre marrëdhënieve dypalëshe, pasi Pekini e konsideron SCO një prioritet të politikës së saj të jashtme. Dhe, fjalimi i presidentit Xi Jinping nuk linte shteg për të mos besuar që angazhimi i Kinës në SCO dhe përpjekja për të shtrirë bashkëpunimin e saj përtej rajonit nuk do të mungonte.

“Organizata e Bashkëpunimit të Shangait” (SCO) është shfaqur si një organizatë e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare që nga fillimi i saj në vitin 2001. Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse janë anëtarët kryesorë të organizatës. Iniciativa ‘Brezi dhe Rruga (BRI)’ e Xi Jinping u mbështet qysh nga fillimi nga të gjitha shtetet anëtare të SCO. Ajo u krijua nga Kina, Rusia dhe katër ish-republika sovjetike, Kazakistani, Kirkistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani dhe më vonë në të u anëtarësuan India, Pakistani dhe Irani. Vendi fqinj dhe aleati kryesor i Rusisë, Bjellorusia, u bë të enjten (4 Korrik) vendi më i ri anëtar. Ndër vendet me status vëzhguesi dhe partnerë për dialog janë Turqia, Arabia Saudite dhe Egjipti.

[1] https://english.news.cn/20240704/cead20e060634c098d2303d41af91307/c.html

[2] https://astanatimes.com/2024/07/un-secretary-general-urges-sco-to-leverage-influence-for-peace-warns-of-global-existential-threats/

[3] https://astanatimes.com/2024/07/un-secretary-general-urges-sco-to-leverage-influence-for-peace-warns-of-global-existential-threats/

 

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

MSHMS me platformë për shërbimet socio-shëndetësore, Koçiu: Mbrojtje dhe fuqizim i familjeve në nevojë

MSHMS synon të fuqizojë sistemin e vizitave në shtëpi në kuadër të kujdesit shëndetësor parësor

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

MSHMS me platformë për shërbimet socio-shëndetësore, Koçiu: Mbrojtje dhe fuqizim i familjeve në nevojë

MSHMS synon të fuqizojë sistemin e vizitave në shtëpi në kuadër të kujdesit shëndetësor parësor