“The National”: Eksploroni zonat rurale të Shqipërisë, një shije e traditave dhe kulturës vendase
Zinara Rathnayake shkruan në “The National”.
Shqipëria është shndërruar në një destinacion popullor këtë vit, me pushuesit që dynden në vendin ballkanik – falë Rivierës së saj mahnitëse bregdetare, shkruan Zinara Rathnayake në një artikull të botuar në “The National”.
Vitin e kaluar, vendi mesdhetar priti mbi 10 milionë vizitorë dhe unë pata fatin të jem njëri prej tyre.
Me të mbërritur natën vonë në Shkodër – një orë e gjysmë në veri të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës – mikpritësi im më mirëpriti me një pjatë me petulla – të shërbyera me reçel të bërë në shtëpi. U ndjeva menjëherë i mirëpritur dhe ishte një ndjesi që më shoqëroi gjatë gjithë vizitës sime në Shqipëri.
Me një popullsi prej rreth 200 000 banorësh, Shkodra shpesh është vendpushimi kryesor për vizitorët midis Malit të Zi dhe Alpeve shqiptare të mbuluara me borë.
Por, qyteti ia vlen të eksplorohet për shtigjet e tij që të çojnë në Kalanë 400-vjeçare të Rozafës – ku dy lumenj formojnë shirita përgjatë peizazhit përreth.
Gjithashtu, Shkodra është e përkryer për t’u eksploruar me biçikletë – ecni nëpër rrugët e saj me kalldrëm përpara se të niseni për në fshat.
Një shëtitje me varkë 70-minutëshe nëpër kanionet e larta të rezervuarit të Liqenit të Komanit më çoi në “Neomalsore Agrotourism”, një bujtinë në malet veriore.
Shtëpia në fermë kishte qenë në pronësi të familjes Koçeku për disa breza – dhe ofronte një pamje nga një liqen blu smerald i rrethuar nga shkëmbinjtë e thyer.
Një tufë pulash, një dhi dhe një mace dembele më bënin shoqëri gjatë qëndrimit tim.
Bujtina është vetëm një nga shumë akomodime të reja në fermë – të drejtuara nga familjet që përqafonin mënyrën rurale të jetesës në Shqipëri, zakonet e kuzhinës dhe mikpritjen tradicionale.
Agroturizmi po ndihmon për të vendosur Shqipërinë rurale në hartën e turizmit duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja ekonomike.
“Neomalsore Agrotourism” drejtohet nga një familje fisnore Molla që i përket një prej klaneve të Malësisë së Shqipërisë.
Marjana Koçeku ishte vajza më e vogël – e cila më priti me një gotë raki të bërë vetë.
Ajo më tregoi se shumë turistë vizitonin zonën për një udhëtim ditor, por që kalimi i disa netëve u lejonte njerëzve të shijonin vërtet stilin e jetesës së ngadaltë dhe të qëndrueshëm lokal.
Në mbrëmje, u ulëm jashtë për një darkë me qirinj së bashku me vizitorë të tjerë. Familja Koçeku organizoi një festë ku na ofroi – bukë misri të bërë në shtëpi, djathë dhie, peshk të pjekur në zjarr dhe pulë të rritur në fermë – të shërbyer me perime të kopshtit dhe mjaltë.
Më pas, qyteti i rradhës ishte Berati, një vend 2400-vjeçar i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Këtu, Lumi Osum kalon pranë qytetit dhe lagjja e vjetër e qytetit strehon rezidenca të epokës osmane me çati të kuqe qeramike, mure të bardhë dhe dritare prej druri.
Ato ishin të vendosura aq ngushtë së bashku, sa që dukej sikur dritaret e gjera ishin grumbulluar mbi njëra-tjetrën, duke i dhënë qytetit pseudonimin e tij, “qyteti i një mbi një dritareve”.
Në majë të një kodre të pjerrët – aty pranë ndodhej Kalaja e Beratit, një kështjellë e shekullit të XIII me mure të lashta të ruajtura, kisha, banesa lokale të kthyera në shtëpi dhe restorante.
Berati mund të jetë i mbushur plot me vizitorë, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Kështu që unë zgjodha të qëndroj në “Alpeta Agrotourism”, një punishte vere dhe bujtinë që ofron ecje me guidë dhe turne me kajak në fshatin Roshnik – rreth 15 kilometra larg Beratit.
Restoranti ishte i rrethuar nga vreshtat e rrushit dhe stafi më shërbeu një drekë tradicionale me mish deleje të pjekur në skarë dhe perime të stinës.
“Koncepti i agroturizmit i ndihmon vendasit të promovojnë zonat rurale si destinacione tërheqëse udhëtimi”, tha pronari Petrit Fiska.
“Ai gjithashtu ndihmon fermerët të përqafojnë praktikat e vjetra bujqësore duke fituar të ardhura shtesë”, shtoi ai.
Një kënaqësi e madhe i priste të gjithe ata – që ishin në kërkim të aktiviteteve në natyrë dhe vendstrehimeve të qeta në të gjithë fshatin shqiptar.
Në Rubik, një qytet i vogël në jug të Shkodrës, qëndrova për gati një javë në një kasolle komode prej druri në “Baven-Toven Naturae”.
Pronari Bajron Nikolli, i cili emigroi në Itali në moshën 14-vjeçare, ishte kthyer në atdheun e tij gati dy dekada më vonë – për të investuar në rrugën e izoluar malore.
Nikolli tani drejtonte bujtinën me ndihmën e prindërve dhe gjyshes.
“Kam punuar për shumë vite në Itali dhe kam investuar kursimet e mia për të ndërtuar këtë vend. Ishte një sakrificë”, tha ai.
“Por, unë jam i lumtur që gjithçka funksionoi. Është bukur të shohësh njerëz që mbërrijnë këtu çdo ditë nga e gjithë bota. Dhe tani kemi punësuar dy persona. Ne kemi krijuar vende pune”, shtoi ai.
Gjyshja e Nikollit më përshëndeste çdo mëngjes me një buzëqeshje dhe një ekspres.
Mëngjesi ishte vendas dhe sezonal me byrek, pispili dhe petulla të servirura me reçel fiku.
Ditët i kalova duke eksploruar fshatin- duke vizituar kishën, një burim të izoluar natyrore përgjatë lumit dhe duke shijuar një drekë të qetë në “Bar Restorant Aleksi” aty pranë.
I mbushur me vendas, ky restorant shërbente qofte tradicionale, speca të mbushura dhe pilaf.
(Marrë nga ATSH)