Gonxhja: Mbështetje potencialit agroturistik, me grante e paketa zhvillimore
Konispoli është kthyer në pol të zhvillimit agroturistik, falë punës së fermerëve dhe mbështetjes së qeverisë.
Konispoli, skaji më jugor i vendit, është kthyer vitet e fundit në pol të zhvillimit agroturistik, falë punës së fermerëve dhe mbështetjes së qeverisë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga Konispoli, ku shihen peizazhe të mrekullueshme të fushave, me sipërfaqe të tëra toke të mbjella me pemë frutore, si dhe foto nga objektet historike e karakteristike, të zonës që tërheqin interesin e vizitorëve të shumtë.
“Konispol ku komuniteti vlerëson investimin e shtetit për ujin vaditës dhe infrastrukturën rrugore, kaq afër Butrintit dhe kufirit, Cukës së Ajtojit dhe detit, arkeologjisë dhe, me peisazhe magjike dhe panorama natyre e toke të kultivuar nga ferma frutore, vreshta e ullinj në brezare, bart potencial agroturistik e ekonomik që do të ketë vëmendjen e duhur dhe të menjëhershme për mbështetje me grante e paketa urgjente përparësie zhvillimore”, shkroi Gonxhja.
Gjithashtu, vijoi ministri, programe të rijetësimit të objekteve historike e karakteristike, itinerare kulturore e kulinarie, plane për struktura shërbimi e kujdesi për banorët dhe vizitorët e shumtë, janë një tjetër aspekt i mbështetjes së qeverisë.
Gonxhja u ndal edhe në investimet në zonat e banimit dhe qendra interesi të trashëgimisë, për promovim e traditës e bashkëjetesës.
“Infopoint dhe kalendar aktivitetesh, mbështetje projektesh zejtarie, artizanati e start-up rural, rritje të konsumit e kërkesës për prodhimin e shkelqyer të trevës, rikualifikim urban, bujtina e hotele, celula mikpritjeje brenda fermave me eksperienca shijimi e aventure. Punojmë së bashku me Bashkinë e Konispolit, FSHZH, MBZHR, MTM, MSHPV, IKTK, BMF, AADF dhe partnerët për zhvillimin e agroturizmit dhe ekonomisë lokale”, deklaroi Gonxhja.