Begaj: Lumezi përcolli frymën perëndimore në shtypin e shkruar shqiptar
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me anë të një telegrami, shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me anë të një telegrami, shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.
“E nderuar Eleonora dhe familja Lumezi, mësova me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të Aristirit, i cili trishtoi të gjithë ata që e njohën personalisht, por edhe ata që e njohën nëpërmjet ekranit, shkrimeve dhe analizave të tij. Gazetaria shqiptare humbi sot kryeredaktorin që përcolli frymën perëndimore në shtypin e shkruar shqiptar përmes filozofisë së tij të drejtimit”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Begaj shprehet se Aristiri ishte gazetari, reporteri i terrenit, redaktori, kryeredaktori dhe analisti që me të vërtetën nuk bëri kurrë kompromis.
“Sot, shqiptarët humbën njeriun e analizave të përcjella me guxim nëpërmjet maturisë së karrierës së pasforcuar në media. Shqipëria do të ketë gjithmonë nevojë për modelin e profesionistit që ai përcolli në media. Unë besoj se të gjithë ata që bashkëpunuan me të dashurin tuaj të zemrës do ta mbajnë për shembullin se si duhet të shkruajnë e të mbajnë qëndrimet në raport me të vërtetën. Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta U prehtë në paqe Aristir Lumezi”, shprehet Presidenti Begaj, në emër të të cilit u vendos edhe një kurorë me lule në arkëmortin e trupit të gazetarit Aristir Lumezi.
Kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi ndërroi jetë dje në moshën 57 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuante kohët e fundit.
Gazetari Aristir Lumezi kishte një eksperiencë prej më shumë se dy dekada dhe ka dhënë një kontribut të vyer në median e shkruar shqiptare dhe atë vizive. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme në median e shkruar dhe ishte një nga profesionistët më të shquar të gazetarisë.