Në 6 muaj u regjistruan 4.5 milionë turistë të huaj, Kumbaro: 486 000 nga Italia
Numrin më të lartë të vizitorëve e zënë kosovarët, me 1.7 milionë vizitorë
Shqipëria në 6 muajt e parë të këtij viti u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj, të cilët kanë vizituar plazhet e bukura, parqet kombëtare etj.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të huaj në vendin tonë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2024.
“4.5 milionë vizitorë në 6 muajt e parë të vitit i pritëm në bregdet, në parqet kombëtare e natyrore, monumentet e kulturës dhe ato arkeologjike, muze e agroturizme, nga një hartë e larmishme e shpërndarjes dhe me tregues interesantë si në forcimin e tregjeve të konsoliduara, ashtu edhe në tendencat e reja të prurjeve turistike”, shkruan Kumbaro.
Sa i takon shifrave, rritje të madhe e kanë francezët me 93% më shumë se një vit më parë, për një total prej 74 000 vizitorë. Rrije kanë pësuar dhe holandezët, rumunët, turqit apo kinezët, me 131% më shumë se një vit më parë, duke mbajtur dhe vendin e parë.
Ndërkohë numrin më të lartë të vizitorëve e zënë kosovarët, me 1.7 milionë vizitorë, të ndjekur nga italianët me 486 000 të tillë.
(ATSH)