Zbatimi i bankingut të hapur, Ibrahimaj takim me përfaqësues nga Fintech
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, zhvilloi një takim me përfaqësues nga institucionet e Fintech
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, zhvilloi sot një takim me përfaqësues nga institucionet e Fintech, ku u diskutua mbi ecurinë e testeve për implementimin e bankingut të hapur (Open Banking).
Protokollet e bankingut të hapur rrisin transparencën financiare, duke i lejuar konsumatorët të menaxhojnë llogaritë e tyre nga banka të ndryshme në një vend të vetëm.
“Ato nxisin konkurrencën dhe inovacionin në sektorin financiar, duke ofruar mënyra të ndryshme pagesash dixhitale, norma më të mira dhe shërbime të personalizuara për përdoruesit. Pas angazhimit dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme për të përmirësuar dhe modernizuar sektorin e shërbimeve financiare në Shqipëri, tashmë jemi në përfundimin e testeve për zbatimin protokolleve për bankingun e hapur”, tha Ibrahimaj.
Ofrimi i më shumë zgjidhjeve dhe alternativave në pagesat dhe shërbimet financiare do të mundësonte uljen e kostos së transaksioneve bankare, do të luftonte informalitetin dhe qarkullimin e fluksit të parasë. (ATSH)