Mete pret Shefen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë: Rritja ekonomike 3.63%
Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber.
Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber.
Ministri Mete dhe shefja e Misionit të FMN-së biseduan në lidhje me ecurinë e ekonomisë dhe treguesit kryesorë makroekonomikë, duke vlerësuar se përgjithësisht situata makrofiskale në vend paraqitet e qëndrueshme dhe pritshmëritë për rritjen e mëtejshme ekonomike janë pozitive.
Në veçanti, Mete përmendi zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, ku rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2023 u vlerësua 3.63%, ndërsa niveli i inflacionit arriti në 2.1 % në muajin qershor, me rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur ishte në nivelin 4.5%.
Ministri theksoi faktin se, borxhi publik pas një periudhe të gjatë zbriti nën 60% të PBB-së në 58.9% në fund të vitit 2023 dhe projektohet të vazhdojë trajektoren rënëse edhe për periudhën në vijim.
Sa i përket të ardhurave në buxhetin e shtetit, ministri vlerësoi se, niveli i mbledhjes së të ardhurave ka vijuar të jetë pozitiv, ku për periudhën 5-mujore të vitit 2024 ato arritën në rreth 287.1 miliardë lekë, 11.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2023, ndërkohë që në fund të vitit parashikohen të arrijnë për herë të parë në 28.8% të PBB-së.
Mete vuri në dukje se tashmë është miratuar Strategjia e re e Menaxhimit të Financave Publike deri në vitin 2030, e cila vë theksin në rritjen e transparencës dhe kontrollit më të mirë të shpenzimeve publike.
Ministri Mete dhe Shefja e Misionit të FMN, diskutuan gjithashtu edhe mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal.
Mete u shpreh se, drafti është në proces finalizimi dhe së afërmi do të publikohet për konsultim publik.
Nga ana e saj, Shefja e Misionit të FMN-së vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Financave në lidhje me garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe vijimin e konsolidimit fiskal.
Takimi u zhvillua në përmbyllje të vizitës së Misionit të FMN-së në Shqipëri.