Bajronizmi si një fenomen Trans-kulturor në botën frënge

Pjesë nga kumtesa e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Bajroni dhe bajronizmi”, në Akademinë e Shkencave.


Nga Luan Rama

Franca ishte nga vendet e para që njohu poetikën e fuqishme të Bajronit e më pas prozën apo dramat e shkruara prej tij. Që në vitin 1818, në Paris nisën të botohen në anglisht librat e Bajronit (për britanikët në Francë apo turistët anglofonë, amerikanë etj). U bënë aq shumë ribotime saqë në vitin 1842 do të kemi ribotimin e njëmbëdhjetë të veprave të plota të tij « The complete works of Lord Byron).

Në fillimin e viteve 20 të shekullit XIX në Francë nisën të shfaqeshin portrete të Bajronit, skica apo foto tablosh siç ishin ato punuar nga miqtë e tij si piktura e Bajronit me kostum shqiptar e Thomas Phillips Westall apo portrete të piktorëve dhe miqve të tij Harrow, Richard etj. Në rrethet letrare në Francë bisedohej rreth poetit të ri dhe aventurier, për udhëtimet e “Child Harold” e më pas për “Gjauri”, “Corsaire”, “Lara”, etj. Shpejt bajronizmi u kthye në një fenomen kulturor veçanërisht në rrethet letrare e intelektuale, ku ai po shndrohej në një lloj modeli me konceptin e kampionit të lirisë, pasi Bajroni për ta ishte mbartës i shqetësimit të intelektualëve reformatorë me përpjekjen për ndryshimin e sistemeve shoqërore dhe të asaj që e quanin “la condition humaine (gjendja njerëzore). Duhet theksuar këtu se edhe pse Franca kreu revolucionin e vet për përmbyesjen e një monarkie mijravjeçare, pas luftrave napoleoniane Republika ra. Dinastia mbretërore u rishfaq sërish. Presidenti Napoleoni III e shpalli veten perandor dhe ja pse bajronizmi ishte aktual dhe frymëzues për shoqërinë franceze të shekullit XIX. Në tregimin e tij “Tudimi i Shën Antuanit”, Floberi u frymëzua nga “Kaini” i Bajronit dhe “Fausti” i Gëtes. Që 19 vjeçar ai deklaronte se adhuronte dy shkrimtarë të mëdhenj të botës letrare: “Bajronin dhe Rabëlé”. Në një shkrim të hershëm të tij “Portreti i lord Bajronit” ai theksonte: “Për Bajronin, nuk kishte gjë më të bukur sesa liria dhe gjë më të neveritshme se paraja… Ai shkoi në Greqi për të ndihmuar në rilindjen e një vendi që po jepte shpirt nga skllavëria. Ai shkoi për të ngritur nga balta karron e lirisë që kishte rënë në baltën ku e kishin zhytur tiranët. Ajo baltë e fisnikëroi atë dhe e bëri të pavdekshëm birin e shekullit”. Poeti i madh Gérard de Nerval gjeti tek vepra dhe akti humanist i Bajronit diçka shpresëdhënëse. Në poemën e tij kushtuar Bajronit, “Mendim”, De Nerval, i cili këtë poezi e cilësonte “elegji”, shkruante : “Fryma e shpresës/kishte përshkuar zemrën time”… “Sa herë i përlotur / këndova hiret e tua hyjnore / theksimet e mia ishin plot sharm sepse ti më frymëzoje…” Ishte e vërtetë se në këtë kohë, Bajroni u bë frymëzues për një pjesë të madhe të letrarëve të mëdhenj francezë. Më 1839, romancierja George Sand, duke shkruar një ese të rëndësishme në “La Revue des Deux Mondes”, të titulluar “Ese mbi dramën fantastike: Gëte, Bajron dhe Mickiewicz” e vlerëson në mënyrë të veçantë kontributin e Bajronit, duke shkruar se “Bajroni ishte ndoshta i vetmi bashkëkohës i Gëtes që kuptoi rëndësinë e zhanrit dramatik. Ajo iu referua madje dhe Gëtes i cili rreth Bajronit do të shkruante: “Tragjedia e Bajronit “Manfredi” më duket një fenomen i mrekullueshëm dhe më ka prekur shumë. Ai aq shumë u frymëzua nga personazhi i Faustit sa personazhi i tij është krejt tjetër dhe më duhet veç ta admiroj gjeninë e tij…”
Në kohën kur ishte konsull në Itali, në “La Scala” të Milanos, Stendali, pra Henri Beyle, u takua me Bajronin, takim që u pasua nga shumë të tjera. Forca poetike e veprës së tij e veçanërisht kurajo në luftën kundër sistemeve të vjetra shoqërore e politike e tërhoqën menjëherë shkrimtarin francez. Në një letër që i dërgonte një mikeje shkrimtare, Stendali shkruante se “ndjenjat e tij për Bajronin ishin shumë fisnike, bujare dhe të fuqishme, me një fjalë në nivelin e gjenisë”. Tetë vjet më vonë Stendali shkruan kujtime dhe boton librin “Kujtim egoizmi” ku pohon admirimin e pandryshueshëm të tij ndaj Bajronit. Por vepra e Bajronit ndikoi madje direkt në shkrimet e shkrimtarit francez. Në romanet “Lucien Leuven” dhe “E kuqja dhe e zeza », shumë kapituj të librit fillojnë me citime nga shkrimet e Bajronit. Po kështu, vetë i Bajroni e frymëzon në krijimin e personazhit të famshëm Fabricio del Dongo në “Kështjella e Parmës”, një personazh romantik, plot aventura, me dashuri dramatike. Ishte vetë modeli i tij.
Po kështu Balzak e pati Bajronin si model për personazhin e konsullit në librin “Honorine” botuar më 1843. Lista e admiruesve të Bajronit në skenën letrare e filozofike franceze është e gjatë. Në atë kohë Alfred de Musset u entusiazmua aq shumë pas këtij heroi të ri, siç shkruan në librin “Kujtimet e Alpeve” sa disa kritikë e tallën duke e quajtur “Mademoiselle Byron”. Në poemën e tij “Lord Bajronit” De Musset shkruante: “Ti, që bota nuk ta njeh emrin e vërtetë / shpirt misterioz, vdekatar, ëngjëll dhe demon/ sido që të jesh Bajron/ i mirë apo gjeni fatal / unë i dua koncertet e harmonisë së ashpër / siç dua zhurmën e rrufesë dhe të erërave…” Influenca ishte e madhe dhe tek Alfred de Vigny apo Prosper Merimée. De Vigny e identifikonte prurjen e tij poetike vetëm me Bajronin dhe me frymën e tij që nga libri “Ditari i një poeti. “Tek ai, – shkruan kritiku francez André Jarry në studimin “Kur De Vigny fliste si Bajron” – ndikimi i Bajronit ishte i jashtëzakonshëm”. Nuk mungon as Bodleri të shkruajë për këtë poet anglez që ai e cilësonte “poet salamandrin”, pra gjithnjë në “sprovë të zjarrit”. Në një poezi të tij, duke u shprehur për poetët, Baudelaire do ta vendoste Bajronin midis Gëtes dhe Shekspirit e më pas do të vinin poetë të tjerë si Dante, Ariosto etj. Të tjerë vlerësonin më shumë “Prometeu”-n e tij. Nga ana e tij Prospère Merimée në veprën e tij “Studime anglosaksone” e cilësonte Bajronin “Bonapart i poezisë”. Është interesante kur mendon se Bajroni vetë e adhuronte figurën e Bonapartit, edhe pse Bonaparti donte ta shkatërronte monarkinë angleze përmes bllokimit të saj nga Europa kontinentale dhe asfiksimin e mbretërisë. Eseja e Bajronit titullohet “Bonaparti” dhe i dedikohet një akademiku francez, mikut të tij Casimir Delavigne. Studjuesi i sotëm Daniel Salvatore Schiffer në veprën e tij “Lord Byron” (Botimet Gallimard) shkruan se “Prometeu” dhe “Manfredi” janë paradigma më e mirë e Bajronit. “Ndriçimet e qenies së tij janë shkëndijëza prometeane” – thekson ai. Edhe një studjues tjetër i sotëm Daniele Sarrat shkruan se “Bajroni i afrohet më shumë heroit prometian se atij faustian”.

Viktor Hygo zbulon thelbin e vërtetë të Bajronit dhe proklamon poetin liberator

Po e veçojmë këtu Viktor Hygonë nga korifejtë e tjerë të letërsisë franceze të asaj kohe pasi na duket sikur ai, më shumë se të tjerët e shoqëroi për një kohë të gjatë veprën e këngëtarit të Prometeut me “Orientalet” e tij”. Referencat janë të shumta. I frymëzuar nga “Mazzeppa” e Bajronit, kater vjet pas vdekjes së tij, Hygo boton “Mazzeppa”-n e tij duke u bashkuar frymës bajroniane dhe duke cituar që në fillim të poemës shprehjen e Bajronit “Away! Away! – Përpara! Përpara!”. Edhe pse një vjershërim tjetër dy poemat duket sikur shkrihen në një. Ato kanë të njëjtën forcë, vrull, dramacitet dhe tingëllim heroik.
Është fakt që shkrimet e Bajronit të frymëzuara nga një botë në zgjim në Ballkanin e robëruar dhe obskurantist, bënë që shumë shkrimtarë e artistë francezë të mbruheshin me ide të reja. Bota duhej ndryshuar. Ja pse dhe vepra e Hygoit në vitet ’30-’40 të shekullit XIX fitoi dimensione të reja, atë të luftës për liri dhe një qytetërim të ri… “« Bajroni – do të shkruante Hugo, i cili gjithashtu do të shkruante për suljotët tek « Orientalet » e tij, – i ngjante përfaqësuesit luftarak të muzës moderne në atdheun e muzave antike. Ndihmës bujar i lavdisë, i fesë dhe i lirisë, ai solli shpatën dhe lirën e tij pasardhësve të luftëtarëve dhe poetëve të hershëm. Ne i detyrohemi, veçanërisht ne, me një mirënjohje të thellë. Ai i provoi Europës se poetët e shkollës së re, edhe pse nuk i dhunojnë më hyjnitë e Greqisë pagane, i adhurojnë gjithnjë heronjtë e tyre dhe se edhe pse e kanë braktisur Olimpin, ata nuk i kanë thënë kurrë lamtumirë Termopileve. Vdekja e Bajronit u prit në gjithë kontinentin përmes një dhimbjeje universale… Duhet të lëvdohemi se një simpati na tërhiqte drejt Bajronit. Nuk ishte vetëm tërhqeja që gjeniu i bën gjenisë : ishte të paktën një ndjenjë e sinqertë admirimi, entusiazmi dhe mirënjohje, pasi duhet tu jemi mirënjohës njerëzve, veprat e aksionet e të cilëve bëjnë të na rrahë zemra…« Ai vdiq në mënyrën më fisnike. Kur na lajmëruan për vdekjen e tij na u duk se na hoqën një pjesë të ardhmërisë sonë. Në kohën e revolucioneve tona të mrekullueshme dy sisteme politike luftonin mbi të njëjtën tokë. Një shoqëri e vjetër më së fundi përmbysej dhe një shoqëri e re nisi të ngrihej. Këtu tek ne rrënoja, atje përpjekje. Në këngët e tij funebre, lord Bajroni shprehu konvulsionet e fundit të një shoqërie që po jepte shpirt…”

Gonxhja: Procedurat e prokurimeve publikohen online në kohë reale

Secili përdorues tani mund të informohet më thjesht mbi procedurat e organit qendror blerës, OBP.

Global 360

Presidentja Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Gonxhja: Procedurat e prokurimeve publikohen online në kohë reale

Secili përdorues tani mund të informohet më thjesht mbi procedurat e organit qendror blerës, OBP.