Dumani raporton në Kuvend: 41 milionë euro të sekuestruara në 2023 nga SPAK
SPAK ka hetuar gjithsej 863 materiale, nga të cilat është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 113 materiale. Janë hetuar 750 procedime penale
Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani deklaroi sot se, gjatë vitit 2023 SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro.
Në prezantimin në Kuvend të raportit të veprimtarisë vjetore të SPAK për vitin 2023, Dumani u shpreh se, “SPAK ka hetuar gjithsej 863 materiale, nga të cilat është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 113 materiale. Janë hetuar 750 procedime penale, nga të cilat janë mbartur 451 procedime. Janë regjistruar procedime të reja gjithsej 299”.
Në lidhje me kërkesat për gjykim, Dumani tha se, “rezulton se janë dërguar në gjykatë 53 kërkesa për gjykim me 296 të pandehur. 11 kërkesa për gjykim me 109 të pandehur për krimin e organizuar dhe 38 kërkesa për gjykim me 142 të pandehur për veprat penale me natyrë korruptive. Për 29 procedime penale është paraqitur kërkesë për pushim”.
Kreu i SPAK shtoi se, “janë transferuar 87 procedime penale dhe është vendosur pezullimi i hetimeve për 24 procedime penale”.
“Nga numri prej 575 personave nën hetim, 457 prej tyre janë hetuar me masë sigurimi, ndërsa 118 persona nën hetim janë hetuar në gjendje të lirë. Prokurorët e posaçëm kanë marrë pjesë në 690 seanca gjyqësore në shkallën e parë dhe 332 seanca gjyqësore në apel. Si dhe kanë ushtruar 4 rekurse në Gjykatën e Lartë”, u shpreh Dumani.
Kreu i SPAK theksoi se, “janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro”.
Dumani theksoi se, “jemi prokurorë, por ne në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitorë. Detyra jonë është të hetojmë, të mbledhim prova dhe mbi bazën e tyre të akuzojmë dhe këtë e bëjmë në respekt të plotë të parimit të procesit të rregullt ligjor, ku mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke pasur parasysh shumë mirë se shumë nga subjektet tona janë zyrtarë që përfaqësojnë shtetin shqiptar”.
Ai shtoi se, shifrat janë kokëfortë në lidhje me politikën penale.
“Paçka se hetojmë krimin e organizuar, sot ndër më të fuqishmit në botë dhe në një nivel të sofistikuar subjektesh, masa arrest në burg në kërkesat tona zë vetëm 49% të totalit, për të cilat është kërkuar ose jo një masë sigurie. Aktualisht, numri total i të paraburgosurve nëpër institucionet e vuajtjes së dënimit është 2817, ku vetëm 237 të paraburgosur janë për llogari të SPAK. Pra, të paraburgosurit nga SPAK zënë vetëm 8.5%”, tha Dumani.
Kreu i SPAK: Rritje e procedimeve penale
Në prezantimin në Kuvend të raportit të veprimtarisë vjetore të SPAK për vitin 2023, Dumani u shpreh se, në raport janë evidentuar disa problematika me të cilat hasen prokurorët e SPAK.
“Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. Mungesa e këshilltarëve ligjor. Adresimi i ngarkesës së shtuar sipas parashikimit të pikës 8, të nenit 179/b, të Kushtetutës, ndaj Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme mbi çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencave të Komisionerëve Publikë. Mungesa e referimeve nga institucionet publike. Shtimi i numrit të hetuesve të BKH-së. Numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura”.
Ai theksoi se, “vijon të mbetet problematike statusi i specialistit Ndërlidhës në Sektorin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta. Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale, për të cilat Prokuroria e Posaçme ka në kompetencë. Mungesa e kompetencës lëndore e Gjykatave të Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimit penal për subjektet e posaçme sipas parashikimeve të nenit 135, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.
Dumani bëri edhe një analizë të situatës së krimit në vend.
“Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë. Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave”, tha ai.
“Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit. Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë. Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona. Në zonën e Fushë-Krujës, evidentohen gjithashtu raste të blerjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve”, u shpreh Dumani.
Sa i përket çështjeve të hetuara, Dumani tha se, “përgjatë periudhës kohore 2021-2023, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një numër relativisht të lartë të procedimeve penale të reja me një tendencë në rritje. Nga viti 2023 dallohet një rritje në masën 16% në krahasim me vitin paraardhës”.
“Në lidhje me numrin e përfundimit të çështjeve, ka një ulje vetëm në masën prej 2% në krahasim me vitin 2022, e cila mund të konsiderohet e moderuar kur merret parasysh niveli i lartë i sofistikimit të çështjeve, të cilat janë hetuar gjatë vitit 2023”, tha Dumani.
“Në lidhje me çështjet/hetimet e përfunduara, Prokuroria e Posaçme, ka një trendencë në zbritje në numrin e çështjeve të dërguara në gjykatë me kërkesë për pushim, dhe ka tendencë në rritje në numrin e çështjeve të cilat janë pezulluar, transferuar dhe çështjeve të dërguara në gjykatë me kërkesë për gjykim. Peshën kryesore në numrin e çështjeve/hetimeve të përfunduar e zënë çështjet, të cilat janë çuar për “transferim” në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me 45% dhe çështjet të cilat janë çuar në gjykatë me 27%, kundrejt totalit”, theksoi Dumani.
Sa i përket çështjeve të transferuara, Dumani shtoi se, “përqindja e tyre e lartë lidhet me faktin se, nga prokurorët e posaçëm, në pjesën më të madhe të rasteve, janë kryer hetime ku janë zbuluar autorët e veprave penale përkatëse, por, janë transferuar për kompetence në organet kompetente pasi, vepra penale, apo subjekti i hetuar, nuk ka qenë kompetencë lëndore e kësaj prokurorie”. (Marrë nga ATSH)