Balla: Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forma më e mirë për të goditur krimin
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi strukturat për finalizimin e operacionit.
Policia e Shtetit, SPAK dhe Prokuroria e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër kanë shkatërruar sot një grup kriminal të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike.
Në mëngjesin e sotëm janë ekzekutuar 12 urdhëra arresti ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi strukturat për finalizimin e operacionit.
“Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të konsoliduar revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar si dhe hetimet profesionale për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale janë forma më e mirë për të goditur krimin”, u shpreh ai.
Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, për 2 vjet, në bashkëpunim me SPAK dhe me Prokurorinë e Shkodrës, Departamenti i Policisë Kriminale i DPPSH dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër finalizoi operacionin policor të koduar “OBLIKA”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan 12 masa sigurie: “arrest në burg” për 10 shtetas dhe “arrest në shtëpi” për 2 shtetas, të cilët akuzohen se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kultivuar dhe prodhuar cannabis sativa, në disa fshatra të Shkodrës.
Gjatë periudhës hetimore, grupit i janë sekuestruar 246 kilogramë cannabis në proces tharjeje dhe i janë asgjësuar 32 000 bimë cannabisi.
(ATSH)