Kolegji Zgjedhor miraton afatet proceduriale për zgjedhjet në bashkinë Himarë
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi sot se, me kërkesë të Kolegjit Zgjedhor depozitoi projektvendimin për afatet e rishikuara proceduariale për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi sot se, me kërkesë të Kolegjit Zgjedhor depozitoi projektvendimin për afatet e rishikuara proceduariale për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht.
KQZ bëri të ditur se, Kolegji Zgjedhor, afatet e propozuara i gjeti të bazuara në Kodin Zgjedhor dhe në reflektim të situatës kohore në momentin e hartimit të tyre, në raport me datën e zgjedhjeve, të reduktuara dhe që respektojnë kronologjinë e veprimeve të cilat parashikohen në Kodin Zgjedhor, te nevojshme për të garantuar zgjedhjet.
Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, me shumicë votash miratoi afatet procedurale.
Nga data 26.7.2024 deri më datë 4.8.2024, Bashkia Himarë dhe institucionet e saj të varësisë, janë të detyruara të raportojnë në KQZ, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë. Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në këtë periudhë në territorin e Bashkisë Himarë, ose për të.
Nga data 26.7.2024, nga ora 08:00-00:00, ose sipas rastit, deri në përfundimin e programi, Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike;
Jo më vonë se data 19.7.2024, Kryetari i Bashkisë në detyrë paraqet në KQZ, listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj;
Jo më vonë se data 25.7.2024, Kryetari i Bashkisë në detyrë të përcaktojë vendet publike, në territorin e Bashkisë Himarë, për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike;
Jo më vonë se data 19.7.2024, partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-në nr. 88, KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 20.7.2024;
Jo më vonë së data 24.7.2024, partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, jo më vonë se 25.7.2024.
Jo më vonë se ora 16.00 e datës 22.7.2024, partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 8 (tetë) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda orës 12.00 të datës 23.7.2024. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 3 (tre) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit të korrigjuar.
Jo më vonë se ora 16.00 e datës 22.7.2024, Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, në KZAZ,. KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 8 (tetë) orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda orës 12.00 të datës 23.7.2024. KZAZ-ja miraton kërkesat për regjistrim brenda 3 (tre) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit të korrigjuar.
Jo më vonë se ora 12:00 e datës 24.7.2024, koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 2 (dy) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda orës 18.00 të datës 24.7.2024. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 3 (tre) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
Jo më vonë se ora 16.00 e datës 25.7.2024, paraqiten në KZAZ dokumentet e kandidimit. KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 4 (katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se ora 12.00 e datës 26.7.2024. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 4 (katër) orë nga riparaqitja e tyre.
Në datë 27.7.2024 fillon fushata zgjedhore;
Jo më vonë se data 1.8.2024 paraqiten kërkesat për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë dhe për vëzhguesit e huaj;
Jo më vonë se data 1.8.2024, paraqiten kërkesat për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në KZAZ.
(ATSH)