FSHF arrin akordin me Andrea Tedescon, tekniku italian do të marrë drejtimin e Kombëtares U-17
Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me teknikun italian, Andrea Tedesco, për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare U-17.
Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me teknikun italian, Andrea Tedesco, për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare U-17.
Tedesco i cili ka një CV të pasur si trajner në Itali por edhe në nivel ndërkombëtar do të firmosë një kontratë 1-vjeçare me FSHF-në, teksa do të drejtojë Kombëtaren U-17 në finalet e Kampionatit Europian “Shqipëri 2025”.
Tekniku 39-vjeçar së fundmi ka qenë në krye të Napolit U-19, teksa më parë për dy sezone ka drejtuar edhe Kombëtaren U-19 të Maltës. Gjithashtu Andrea Tedesco ka qenë edhe në rolin e zëvendëstrajnerit te skuadra rumune Universitatea Craiova 1948. Ndërsa në fillimet e karrierës ka drejtuar edhe skuadrën italiane Casertana.
Trajneri i ri i ekipit Kombëtar U-17, Andrea Tedesco, do të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë në krye të Shqipërisë U-17 për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ai do të jetë i angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës për të ndjekur e monitoruar talentet si edhe do të nisë menjëherë nga puna për t’u përgatitur sa më mirë për finalet e Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohen në vendin tonë nën organizimin e FSHF-së në bashkëpunim me UEFA-n.