Lufta kundër pastrimit të parave, Balluku: Miratimi i strategjisë i jep vendit 1.5 mln euro nga Plani i Rritjes
Dokumenti i “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030” përmes “Planit të Veprimit” adreson gjashtë objektiva madhor
Zv/Kryeministrja dhe njëherazi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha sot se dokumenti i “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030” përmes “Planit të Veprimit” adreson gjashtë objektiva madhor që lidhen me pastrimin e parave. Ajo shtoi se miratimi i këtij plani strategjik i jep Shqipërisë mundësi të aksesojë në 1.5 milionë euro në formë granti nga BE, në kuadër të planit të rritjes”.
Balluku në fjalën e saj gjatë mbledhjes së Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, i cili në rend të ditës kishte miratimin e “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030”, tha se dokumenti është hartuar në bashkëpunim me sektorin e privat dhe është gjithëpërfshirës.
“Në hartimin e Strategjisë, një vëmendje të veçantë i është dhënë bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, si bankat, noterët, audituesit, ndërmjetësuesit, zyrat e këmbimit valutor, shoqatat e ndërtuesve, të cilët janë angazhuar plotësisht në procesin e hartimit të këtij dokumenti dhe konsultimit të kësaj strategjie në publik”, tha Balluku.
“Vlen të theksohet se përfaqësuesit e sektorit privat janë anëtarë të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës, i cili është ngritur me vendim të këtij Komiteti në Dhjetor të vitit 2023 dhe është një dëshmi e rëndësisë që i kemi dhënë forcimit të partneritetit me sektorin privat, duke u bërë një nga vendet e para në rajon dhe më gjerë padyshim që ka konsoliduar këtë formë partneriteti”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, “dokumenti i Strategjisë që është paraqitur për miratim, është përqendruar në 6 objektiva madhore të cilat do të përmbushen nëpërmjet masave të detajuara të Planit të Veprimit që shoqëron këtë strategji. Miratimi i Strategjisë është një nga masat që duhet të përmbushim në kuadër të axhendës së Reformave si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Miratimi i kësaj Strategjie do të sjellë përfitimin padyshim për Shqipërinë me vlerë modeste, por që është domethënëse pasi konsolidon procesin. Është një grant prej 1.5 milionë euro të cilat akordohen në kuadër të Planit të Rritjes.”, tha Balluku
Zv/kryeministrja më tej u shpreh se “nga ana tjetër, duke qenë se Shqipëria do ti nënshtrohet procesit të vlerësimit nga Komiteti MONEYVAL gjatë vitit 2025-2026, puna parapërgatitore që po ndërmerret nga të gjitha institucionet do të shërbejë për të mundësuar marrjen e një vlerësimi pozitiv. Masat për të cilat kërkohet vëmendje Juaj në veçanti janë: Angazhimi i stafeve me njohuri të fushës, për t’ju përgjigjur në kohë kërkesave të ekspertëve vlerësues. Në këtë kontekst, qëndrueshmëria e stafit është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm që duhet të mbahet në konsideratë nga të gjithë drejtuesit; Evidentimi me qartësi i nevojave buxhetore për ngritjen e sistemeve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që t’i adresojmë në kohë, në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Balluku.
Gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, në rend të ditës ishin dy pika. E para, është miratimi i “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030” dhe Planit të Veprimit;
Pika e dytë, raportimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare mbi: Procesin e hartimit të Strategjisë në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”; Aktivitetet e zhvilluara nga Grupi Teknik Ndër-institucional i Punës (GTNP); Ecurinë e procesit parapërgatitor për vlerësimin e Shqipërisë nga Komiteti MONEYVAL në kuadër të raundit të 6-të të vlerësimit (2025-2026).