Kongresi Zgjedhor, Rama: Sot nis projekti i PS-së për Shqipërinë 2030
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot bindjen se Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2025, ndërsa theksoi se “sot nis projekti i PS-së për Shqipërinë 2030”.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot bindjen se Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2025, ndërsa theksoi se “sot nis projekti i PS-së për Shqipërinë 2030”.
Në fjalën e mbajtur në Kongresin Zgjedhor të PS-së, Rama u shpreh se “sot nis mbjellja e fushës së fitores që do të korret pranverën e ardhshme”.
“Ky është një stacion në rrugëtimin e PS. Jo thjesht sepse do të zgjedhim përfaqësuesit e familjes së madhe politike në Asamblenë Kombëtare prej të cilës në sezonin e ardhshëm politik, do të dalin dhe Kryesia dhe Sekretariati i ri i PS-së. As sepse sot nis praktikisht mbjellja e fushës së fitores që do të korrim pranverën e ardhshme me një punë të gjithëanëshme. Sot nis natyrshëm projekti i PS të vitit 2030”, theksoi Rama.
Sipas tij, kjo është kjo koha e duhur për të nisur një tjetër investim të ri për kapitalin njerëzor të PS-së, dhe për të punuar në një ambicie të re, të madhe.
“Jo vetëm për Shqipërinë e 2030-ës, por dhe për PS-në e 2030-ës”, theksoi ai.
Kryeministri falënderoi Lindita Nikollën, e cila sipas tij, “shërbeu për disa vite dhe bëri më të mirën e saj si gjithmonë”.
“Ashtu si në ditën e parë në shërbimin publik, si mësuese, si drejtoreshë shkolle, kryetare e Njësisë Bashkiake nr. 3, ministre e Arsimit dhe kryetare Kuvendi. E ka vënë unin e vetë në shërbim të komunitetit politik”, nënvizoi ai.
Rama vlerësoi se Lindita Nikolla është shembull kuptimplotë se si duhet të jetë në çdo rrethanë dhe vështirësi, individi i zgjedhur nga ky komunitet dhe në çdo hap përfaqësimi.
“Faleminderit për forcën e shembullit që ti je”, iu drejtua Rama Nikollës nga foltorja e Kongresit. (ATSH)