Kongresi Zgjedhor, Rama: Ndjesë publikut për deputetët që nuk përmbushin detyrën
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u tregua sot kritik ndaj atyre deputetëve socialistë që nuk përmbushin detyrën duke qëndruar pranë zgjedhësve.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u tregua sot kritik ndaj atyre deputetëve socialistë që nuk përmbushin detyrën duke qëndruar pranë zgjedhësve.
Gjatë punimeve të Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama theksoi se karrigia dhe tryeza e kuvendit janë për t’u ulur për vendimarrjen, por detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë në lagjet, rrugët, shtëpitë dhe vendet ku jeton e punon komuniteti që i ka dhënë mandatin”.
“Puna e deputetit matet me takimet me komunitetin e njerëzit më në nevojë, grupet e interesit, anëtarësia, ku dora, fjala dhe urtësia e deputetit janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e jetës së çdo qelize të partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë asnjë gjë tjetër veçse shembulli i njerëzve që dëgjon njerëzit, që ka ambicien të zgjidhë edhe probleme të mëdha edhe halle të vogla”, theksoi Rama.
Kjo, sipas tij, vlen për çdo deputet pa dallim por mbi të gjitha duhet të vlejë për këdo që merr vlerësimin dhe ka nderin të jetë deputet i PS-së.
“Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që unë personalisht e konsideroj një privilegj të pakrahasueshëm me asnjë privilegj. Të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është për mua një borxh i jashtëzakonshëm i cili nuk lahet kurrë deri në fund. Unë nuk kam se si të rri dot asnjë orë rehat, përderisa nga ata që mua ma kanë bërë këtë nder, ka shumë që nuk janë rehat në atë orë. Kjo nuk është sot çështje natyre, por detyre”, tha Rama. (ATSH)