Tirana mirëpret marrjen e Presidencës së BE nga Hungaria, Veliaj: Punojmë përditë për integrimin

Hungaria do të udhëheqë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm.


Hungaria do të udhëheqë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm.

Për këtë arsye, bashkia e Tiranës organizoi dje në mbrëmje një ceremoni të posaçme, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë, ku mori pjesë kryebashkiaku Erion Veliaj, i ngarkuari me punë i Ambasadës Hungareze në Tiranë, Adam Lovassy, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, etj.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se Shqipëria dhe Tirana e mbështesin Hungarinë në drejtimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian dhe vuri në dukje marrëdhëniet e mira, ndër vite, mes dy vendeve tona.

“Në këto 9 vite si kryebashkiak kam pasur fatin të takoj dy Presidentë të Hungarisë, një herë për sheshin e vogël kushtuar Janosh Huniadit, e më pas për vendosjen e monumetit të Mbretëreshës Geraldinë. Më gëzon fakti kur shoh sot se si po lulëzojnë edhe marrëdhëniet e biznesit mes vendeve tona – një nga kompanitë kryesore ajrore “WizzAir”, theu murin e çmimeve të larta të fluturimeve dhe sot i ka hapur rrugën edhe kompanive të tjera low cost, duke e kthyer aeroportin e Tiranës në numrin një në Ballkanin Perëndimor; kur shikoj edhe kompanitë tona të telekomunikacionit, njëra në pronësi hungareze, kurse tjetra që drejtohet nga një hungarez, kuptoj se si janë forcuar marrëdhëniet e biznesit. Por, edhe një nga bankat kryesore në vend është gjithashtu, një investim hungarez”, tha Veliaj.

Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, kryebashkiaku i Tiranës tha se Shqipëria vitet e fundit po punon seriozisht për t’ia arritur këtij qëllimi dhe se anëtarësimi në BE do të jetë kurorëzimi i një pune të madhe.

“Ambicia e Shqipërisë 2030 është ambicia e Shqipërisë që integrohet në Bashkimin Europian. Jam i sigurt se ngritja e dorës për miratimin e anëtarësisë sonë mund të zgjasë vetëm 30 sekonda, por pas tyre fshihen 40 vite punë. Ne jemi duke punuar për këtë dhe e kemi marrë shumë seriozisht, sidomos vitet e fundit. Nuk e them se kemi qenë seriozë në të 40 vitet e kësaj praktike, por vitet e fundit e kemi marrë shumë seriozisht, ndaj gjatë presidencës hungareze duam të sigurohemi që bëjmë maksimumin për t’i kthyer ngjyrat kuqezi, aty ku e kanë përkatësinë e tyre, aty ku kanë aspiratën e tyre, aty ku të gjithë shohin drejt Perëndimit”, tha ai.

Veliaj shtoi se është kollaj t’i prishësh gjërat, njësoj sikur shformon Kubin e Rubikut, por duhet shumë kohë për të rikuperuar dhe për t’i kthyer ngjyrat në vendet e tyre fillestare.

“Objekti që kam në dorë është Kubi i Rubikut, është e vetmja lodër e komunizmit që i mbijetoi tranzicionit. Nëse i them secilit prej jush, ta prishë Kubin e Rubikut, e bën fare thjeshtë. Nuk ka nevojë as për doktoraturë, as të shkosh te Kolegji i Europës, as të kesh mbaruar kurse trajnimi. Një gjë e bukur prishet kollaj. Por, po t’ju them kthejeni Kubin e Rubikut siç ishte, atëherë duhet pak punë. Kjo është një metaforë shumë e bukur. Është shumë kollaj sot t’i prishësh gjërat. Sot në Europë ka një luftë. Është shumë kollaj të hapësh konflikt, por shumë më e vështirë ta kthesh gjënë e bukur siç ishte. Është shumë kollaj ta thyesh një enë kristali, është shumë e vështirë që ato copat e vogla t’i ngjisësh bashkë, por edhe po i ngjite, prapë nuk do të jenë kurrë si origjinali. Ndaj, unë besoj se në këtë kontinent që ne e quajmë Europë, por edhe në këtë bashkësi politike, që ne e quajmë Bashkimi Europian, është shumë kollaj të thyesh gjëra, por është shumë e vështirë t’i bësh gjërat bashkë. Shumë gjëra janë thyer për kombin tonë, që nga pushtimi 500-vjeçar te diktatura komuniste, dhe tranzicioni jashtëzakonisht i vështirë. Por, si Kubi i Rubikut, me simbolikën e të kthyerit në origjinë, sfida jonë e jashtëzakonshme është të kthyerit aty ku ishim, aty ku e kemi përkatësinë, në Europë dhe në Bashkimin Europian”, u shpreh Veliaj.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Hungarisë në Tiranë, Adam Lovassy, falënderoi kryetarin ebBashkisë së Tiranës për mbështetjen dhe organizimin e ceremonisë.

“Ne hungarezët jemi përgatitur shumë për Presidencën tonë, prandaj kemi 7 prioritete: Në gjysmën e parë të vitit do të përqendrohemi në konkurrueshmërinë, në politikat e mbrojtjes, të zgjerimit, pikëpyetjet mbi emigracionin, çështjet e bujqësisë dhe jo më pak të rëndësishme, ndryshimet demografike në BE. Dikush mund të thotë që këto 7 prioritete janë të përputhshme për Shqipërinë, por nuk është vetëm Hungaria që ka punuar për Presidencën Europiane, edhe Shqipëria ka bërë detyrat e saj të shtëpisë dhe i ka kryer ato shumë mirë. Hungaria është gati, Shqipëria është gati. Të gjithë i kemi kryer detyrat e shtëpisë për t’u përqendruar në politikat e zgjerimit të BE. Faleminderit shumë që na keni ftuar këtu sot, e vlerësojmë shumë punën tuaj dedikuar forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-hungareze dhe mbështetjen tuaj për ta sjellë Shqipërinë aty ku i takon, brenda BE-së”, tha Lovassy.

Lexo më shumë nga

Ambasada turke në Tiranë, pritje për Ditën e Republikës së Türkiyes

Dita e Republikës së Türkiyes shënohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Türkiyes në vitin 1923.

Global 360

“Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë”, Osmani vizitë pune në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikë

Diplovista

Rama për “Berliner Zeitung”: Sot jemi vendi me përparimin më të shpejtë drejt BE

Kryeministri shqiptar Edi Rama flet për ”Berliner Zeitung” për procesin e ngadaltë të anëtarësimit të vendit të tij në BE,…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Ambasada turke në Tiranë, pritje për Ditën e Republikës së Türkiyes

Dita e Republikës së Türkiyes shënohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Türkiyes në vitin 1923.