Begaj: Mirënjohje Austrisë për ndihmën e vazhdueshme
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Austrisë në Shqipëri, Monica Zach
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Austrisë në Shqipëri, Monica Zach.
Presidenti Begaj pranoi Letrat Kredenciale të ambasadores austriake, së cilës i uroi suksese përgjatë shërbimit diplomatik në Shqipëri, duke i shprehur mbështetjen e tij dhe të autoriteteve shqiptare.
Gjatë bisedës u vlerësua niveli i lartë e i shkëlqyer i marrëdhënieve shqiptaro-austriake dhe u theksua njëherazi nevoja për avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes fuqizimit të rolit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik për zgjerimin e tregtisë, investimeve dhe turizmit.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Austrisë për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë në Shqipëri nëpërmjet projekteve konkrete në shumë fusha, si: në drejtësi, arsim e mbrojtje, për lobimin përgjatë procesit të integrimit në BE, kontributin ndaj Kosovës përmes KFOR-it, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal. (ATSG)