Vëngu-Cote: Modernizim më i shpejtë i FA-së falë mbështetjes së SHBA-ve
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu zhvilloi sot një takim me atasheun ushtarak amerikan, kapiten i rangut II Eric Cote
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu zhvilloi sot një takim me atasheun ushtarak amerikan, kapiten i rangut II Eric Cote, me të cilin diskutoi mbi progresin e projekteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes.
Vëngu vlerësoi se bashkëveprimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleati ynë strategjik, është i pazëvendësueshëm për Forcat tona të Armatosura.
Në fokus të takimit me atasheun ushtarak amerikan ishte riaktivizimi i industrisë së mbrojtjes në vendin tonë, si dhe ecuria e projektit të Portit të ri në Porto Romano, ku punimet e fazës së parë parashikojnë dhe ndërtimin e infrastrukturës parësore të bazës autonome detare për forcat tona dhe ato aleate.
Po ashtu, Vëngu informoi se në takim u nënvizua edhe rëndësia e Korridorit VIII për mbështetje logjistike, furnizime dhe dislokime të shpejta të trupave dhe mjeteve në kuadër të mbrojtjes së përbashkët.
“Mbështetja esenciale në mjete, sisteme dhe rritje kapacitetesh nga SHBA, shton përgjegjësitë tona për një modernizim me hapa më të shpejtë”, theksoi ministri Vëngu. (ATSH)