Nga veriu në jug, projektet prioritare në akset rrugore zënë 37% të shpenzimeve kapitale
Investimet në infrastrukturën rrugore zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në buxhetin e Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjisë, me 37% të totalit.
Investimet në infrastrukturën rrugore zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në buxhetin e Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjisë, me 37% të totalit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi raportin e motorimit të buxhetit për 4-mujorin e parë 2024, ku rendit një sërë projektesh proritare, tek të cilat do të adresohen dhe investimet më të mëdha.
Sipas këtij dokumentit, projektet prioritare me financim të brendshëm janë koncesionet e Rrugës së Arbrit dhe rrugës Orikum – Dukat, si dhe tuneli i Llogorasë. Ndërkohë që, projektet prioritare me financim të huaj janë: Përmirësimi dhe rehabilitimi i urave, rruga Qukës – Qafë Plloçë dhe ndërtimi i bypass-it të Tiranës.
Dokumenti liston edhe projektet kryesore rrugore që janë duke u zbatuar, sipas kategorisë së rrugës.
Më konkretisht, disa nga projektet e rrugëve të tipit A, me 4 korsi janë: Unaza e Madhe e Tiranës, në të gjithë lotet e saj si dhe zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës Faza I dhe II. Ndёrtim rruge tip B, ku janё pёrfshirё kryesisht rrugë me dy korsi janë 2 objekte të financuara: Rruga Kardhiq – Delvinë Loti 8, që përfshin sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave, si dhe zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë-Thanë, në 8 lote të ndryshme.
Në fokus të investimeve janë edhe projektet për ndërtim rruge të kategorisë B2, me 2 korsi, si rruga Korçë – Ersekë, Palasë – Dhërmi, rrugët lidhëse me aeroportin e Kukësit dhe Vlorës, etj.
Investimet publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB, ose 128.5 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë).
Në planifikimin e investimeve për vitin 2024, janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.