Kumbaro: Aksion i madh pastrimi i parqeve kombëtare nga Alpet deri në Llogora
Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe totale prej 109 050 hektarësh, 10.5 % e fondit pyjor dhe 3.8 % e sipërfaqes totale të tokës.
Dita Ndërkombëtare e Maleve të Pastra këtë vit do të shenjohet, si pjesë e një aksioni të madh pastrimi, nismë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe drejtorive të saj rajonale.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se nisma zhvillohet nën moton “10 parqe në 10 ditë”, dhe synon pastrimin e parqeve kombëtare.
“Nga datat 22 deri më 31 gusht, ju presim në një prej 10 parqeve tona kombëtare e natyrore nga Alpet deri në Llogora për të dhënë një kontribut modest, por të bukur për natyrën tonë, sepse siç kemi të drejtë t’i shijojmë bukuritë e saj të gjithë, po të gjithë duhet kemi detyrimin t’i mirëmbajmë e kujdesemi Natyra nuk është e institucioneve, është e të gjithëve ne”, u shpreh Kumbaro.
Shqipëria ka filluar të mbrojë parqet natyrore kombëtare që prej vitit 1940. Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe totale prej 109 050 hektarësh, 10.5 % e fondit pyjor dhe 3.8 % e sipërfaqes totale të tokës.
Zonat e mbrojtura në vendin tonë datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.
Krijimi i një parku kombëtar është një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët natyrore dhe kulturore.
Disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë janë: Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”.
(ATSH)