Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Spiropali: Homazh për miliona jetë të këputura në mes
Kryetarja e Kuvendit përshëndeti veprimtarinë “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit me rastin e Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti sot në veprimtarinë “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit me rastin e Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Spiropali u shpreh se, “23 gushti është shënjuar nga Parlamenti Evropian si Dita e Kujtesës Evropiane për viktimat e komunizmit dhe fashizmit. Një ditë homazhi e kujtese për ato dhjetëra miliona jetë njerëzore të këputura në mes. Ato drama e tragjedi personale të të gjithë shoqërisë njerëzore të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive. Dy skaje të së njëjtës humnerë. Dy anë të së njëjtës monedhë kriminale siç ishin nazi-fashizmi dhe komunizmi”.
“Shpesh këshillohet se për të ecur përpara nuk duhet kthyer koka pas. Po aq shpesh thuhet dhe e kundërta. Që të kesh siguri dhe garanci për të mos u përsëritur e liga në të ardhmen një sy duhet mbajtur gjithherë nga e shkuara. Çfarë harrohet rrezikohet të ripërsëritet”, tha Spiropali.
“Ka vetëm 3 dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjet e lindura në atë kufi thyerje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre janë gjyshër nipash e mbesash. Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes. Se çfarë peshe kishte dera e qelisë. Sa e errët ishte humbella e galerisë ku punohej skllavërisht. Se çfarë makthi ishin telat me gjemba, apo sa vriste plumbi që qëllonte në emër të ideologjisë që ndanë shqiptarin nga shqiptari, nënën nga biri, motrën nga vëllai, fqinjin nga fqinji. Që i ndante me barriera frike e urrejtjeje, refuzimi e mohimi”, u shpreh Spiropali.
Kryeparlamentarja tha se, 3 dekada janë një kohë shumë e gjatë për individin, por janë pak në jetën historike të një kombi.
“Edhe atëherë kur jeta e sjell që të prekësh pak histori para syve si këtu që bëhet edhe më dramatike ndoshta pikërisht për shkak të kontrasteve të hatashme. Porto Palermo, kjo perlë e bregut tonë, dukej si zgjedhja më djallëzore për të detyruar bashkëjetesën e mrekullisë me diell, det dhe mal dhe makthin me të cilin pushtuesit dhe sunduesit e këtij vendi mbyllnin, izolonin e rrekeshin të shtypnin e shuanin kundërshtarët e tyre”, u shpreh ndër të tjera Spiropali.
Për kryetaren e Kuvendit këto histori tragjike duhet të shërbejnë edhe për jetën shoqërore-politike për të forcimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e lirive edhe të drejtave të njeriut.
Për 13 muaj nga viti 1949 deri në 1950 në Burgun e Porto Palermos humbën jetën 82 burra, 62 gra dhe 37 fëmijë dhe të rinj.
Për 13 muaj, nga 1949-1950 ky vend u tentua të bëhej varr ëndrrash e mal vuajtjesh njerëzore, tha Spiropali.
“Sot përkujtojmë 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje. Ata 82 burra u rrëmbyen përdhunshëm dhe u syrgjynosën në muret e kësaj kalaje. Ato 62 gra u nxorën pa mëshirë nga shtëpitë e tyre dhe u degdisën në muret e këtij burgu. 37 djem dhe vajzat e mitura u konsideruan gjithashtu armiq, i ndanë nga fëmijëria dhe i ndrynë dhunshëm në ferrin që urrejtja në emër të ideologjisë kishte ndërtuar në këtë skaj parajse të natyrës”, u shpreh Spiropali.
“Kampi i Porto Palermos është gjithashtu një nga faqet që duhet studiuar, ekspozuar dhe njësoj si viruset që vriten kur dalin në dritë të diellit, duhet të ndriçohet nga drita e njohjes për t’u ndarë përfundimisht me të”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit.
(Marrë nga ATSH)