Hoxha me ambasadorët e Japonisë dhe Holandës: Angazhim në përballje me kërcënimet e sigurisë
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka pritur sot ambasadoren e Japonisë, Kikuko Kato, dhe atë të Holandës, Reinout Vos
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka pritur sot ambasadoren e Japonisë, Kikuko Kato, dhe atë të Holandës, Reinout Vos, me të cilët bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mundësive për shtrirjen dhe zgjerimin e tyre.
Në takimet e zhvilluara me dy diplomatët, është vlerësuar niveli i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve miqësore e tradicionale mes vendeve tona.
Pas takimit me ambasadorin holandez, ministri Hoxha ndau vlerësimin mbi trendin pozitiv të marrëdhënieve politike dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe përforcuar shkëmbimet dypalëshe. Në takim u rikonfirmua angazhimi operacional proaktiv në përballje me kërcënimet e sigurisë.
Në lidhje me takimin me ambasadoren e Japonisë, ministri vuri në dukje se u diskutua mbi mbështetjen e dhënë për projekte të ndryshme, që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme, si kontribute të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve për strukturat e varësisë.
Në takimet e zhvilluara, krerët e misioneve diplomatike i kanë uruar ministrit Hoxha suksese në detyrë. (ATSH)