Veliaj në Krrabë: Nisim punën për shkollën e re, investime njësoj si në qendër dhe periferi
Kreu i bashkisë u shpreh se ndërtimi i kësaj shkolle do të jetë një kartolinë e jashtëzakonshme për Krrabën.
Investimet në infrastrukturën rrugore në zonën e Krrabës, përveç hovit ekonomik dhe zhvillimit të tregtisë do t’i hapin rrugë edhe ndërtimit të shkollës së re.
Teksa inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës së Mesme të Bashkuar në Krrabë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se bashkia e Tiranës synon të ruajë të njëjtin standard, si për shkollat në qendër, ashtu edhe në periferinë e kryeqytetit.
“Synimi ynë ka qenë si të arrijmë të punojmë me të njëjtën cilësi si për shkollën “Kosova”, ashtu edhe për shkollën këtu në Krrabë, si për “Sami Frashërin”, ashtu edhe për shkollën në Vaqarr, si për “Partizanin”, ashtu edhe shkollën në Prush. Fakti që ia kemi mbërritur kësaj dite më bën krenat. I kemi mbaruar shkollat e Tiranës, tani jemi në punë e sipër për gjitha shkollat e periferisë, një pjesë të të cilave i kemi përfunduar. Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për Krrabën”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë u shpreh se ndërtimi i kësaj shkolle do të jetë një kartolinë e jashtëzakonshme për Krrabën.
Ai shtoi se shkollat e reja kanë standarde dhe kushte shumë më cilësore, sa i përket infrastrukturës, por edhe stafit arsimor.
(ATSH)