Begaj apel ambasadorëve dhe konsujve: Qëndroni afër shqiptarëve kudo ku ndodhen

Presidenti Bajram Begaj u kërkoi sot ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë të qëndrojnë afër shqiptarëve kudo ku ndodhen.


Presidenti Bajram Begaj u kërkoi sot ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë të qëndrojnë afër shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Në fjalën e tij në pritjen e organizuar për ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Shqipërisë, Begaj tha se “nuk ka fenomen më të papranueshëm se sa një ambasadë apo konsullatë që nuk është në shërbim të plotë e të përhershëm për qytetarët e vet”.

“Si një popull që tashmë shumicën e ka me banim e punë jashtë vendit, shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë”, tha Begaj.

Begaj u shprehu ambasadorëve dhe konsujve mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhur për të përfaqësuar Shqipërinë me nder e dinjitet.

“Falë angazhimit tuaj, ne kemi arritur të forcojmë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe të promovojmë interesat kombëtare në mënyrë më efektive”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se “takimi i sotëm zhvillohet në kuadër të konferencës suaj të ambasadorëve. Me sa jam informuar, punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë”.

“E them këtë, – vijoi Begaj, – sepse brenda pak vitesh bota ka pësuar ndryshime rrënjësore.”

“Besoj e kemi ende të freskët kujtimin kur globalizimi ishte kryefjalë e ditës. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Teknologjia e informacionit e lehtësoi ndjeshëm punën, njerëzit komunikonin më lehtësisht dhe mediat sociale u bënë instrument kryesor për ndërlidhjen e tyre. Investimet më të mëdha ishin kryesisht në teknologji, tregti e sipërmarrje. Bota ishte e ndërlidhur aq natyrshëm, sa diplomacia duhet të rishpikte veten. Ndryshe, diplomatët tradicionalë rrezikonin të ktheheshin në relike. Pakkush e parashikoi ndryshimin që do të pasonte”, nënvizoi Begaj.

Më tej Begaj tha se “skena botërore, deri dje e bashkuar, sot po përjeton uljen e perdes së harruar të hekurt. Multilateralizimi ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Globalizimi është krisur nën trysninë e forcave rajonale. Teknologjia tregoi anën e saj të errët teksa filloi të përdorej edhe për qëllime negative, si përhapja e informacioneve të rreme dhe influencimi i zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, çështje të mprehta si pabarazia shoqërore, siguria kibernetike, shpopullimi, ndryshimet klimatike dhe lindja e inteligjencës artificiale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar gjetjen e zgjidhjeve”.

Begaj u shpreh se “agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Në Evropë u rikthye lufta për herë të parë që prej 1945-ës. Po kështu, në Lindjen e Mesme, pas një periudhe relativisht të qetë, u riaktivizua konflikti Izrael-Hamas, duke rrezikuar seriozisht të zgjerohet”.

Gjeopolitika u kthye në skenë, vijoi Begaj, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë.

“Roli juaj si diplomatë lidhet me ekspertizën tuaj. Në botën moderne ka shumë aktorë që merren me politikë të jashtme, por vetëm ju ushtroni diplomacinë. Përdoreni si duhet këtë epërsi”, iu drejtua Begaj ambasadorëve dhe konsujve.

Sot, vijoi Begaj, është sfiduese të bësh diplomatin proaktiv, modern në teknologji, por tradicional në këmbënguljen për realizimin e objektivave strategjike në shërbim të interesit kombëtar.

“Rreziku që vjen nga inercia apo letargjia profesionale është real dhe i dëmshëm jo vetëm për ju profesionalisht, por edhe për vendin. Ky është një profesion që kërkon zell, përkushtim dhe, mbi të gjitha, dashuri për profesionin, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Shqipëria nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë. Shqipëria gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekurinë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin tonë strategjik, SHBA-në, për Ukrainën për çështjen e paqes dhe sigurisë, ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme. Jam i bindur se bazuar në këto arritje diplomacia jonë do të jetë e aftë të ecë me hapin e politikës sonë të jashtme. Ndërtoni mbi sukseset e mëparshme”, tha Begaj.

Duke folur për rajonin, Begaj theksoi se “situata e paqes dhe sigurisë rajonale apo globale mbetet fluide, por interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në BE mbeten të pandryshuara, si shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme dhe aksionit tonë diplomatik. Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët kanë një zë të fuqishëm dhe rol vendimmarrës, mbetet realiteti politiko-ekonomiko-shoqëror, ku diplomacia shqiptare duhet të thotë fjalën e vet me gjithë fuqinë e mundshme dhe me argumentet bindëse për të garantuar të ardhmen euroatlantike të kësaj pjese të shqiptarisë”.

Presidenti Begaj theksoi veçanërisht rolin aktiv që duhet të vazhdojë të luajë diplomacia jonë në marrëdhënie me Kosovën.

“Kosova nuk duhet të mbetet si një talking point e përsëritur, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik. Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj”, tha Begaj.

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…