Manja pret VanHorn: Angazhim të përbashkët në forcimin e shtetit të së drejtës
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim pune me Të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim pune me Të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn.
Ministria e Drejtësisë, në një njoftim për mediet ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar sot në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas njoftimit, gjatë takimit, ministri e uroi znj. VanHorn për detyrën e saj të re dhe diskutoi në mënyrë të hapur mbi ecurinë e reformës në drejtësi, përfshirë arritjet dhe sfidat e ardhshme.
Të dyja palët ndanë qëndrimin e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në reformat kyçe dhe të pakthyeshme në fushën e drejtësisë. Ministri e informoi znj. VanHorn mbi punën e shkëlqyer që po kryhet nga stafet teknike të të dy vendeve në Tiranë, për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore në agjencitë e zbatimit të ligjit, që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë takimit, u ritheksua angazhimi i përbashkët për të punuar fuqimisht në forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, dhe sundimin e ligjit si rrugë e vetme drejt integrimit të Shqipërisë me Evropën.
Ambasada e SHBA nga krahu tjetër, përmes një njoftimi për mediat, lidhur me takimin, saron se “E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, njofton Ambasada e SHBA në Tiranë. (ATSH)