Rritja e borxhit të jashtëm të vendeve afrikane një shqetësim ndërkombëtar që kërkon zgjidhje

Kina ka treguar vullnetin e saj për të luajtur një rol në ristrukturimin e borxhit të jashtëm të disa vendeve afrikane


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Në vitin 2022, borxhi publik total në Afrikë arriti në 1.8 trilion USD. Borxhi i Afrikës është rritur me 183% që nga viti 2010, një normë afërsisht katër herë më e lartë se norma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kriza e borxhit po godet Afrikën më fort se çdo kontinent tjetër. Më shumë se gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta të kontinentit, janë në vështirësi borxhi ose në prag të tij. Nga të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Statistikave të Borxhit borxhi i jashtëm i Afrikës është rritur nga 220.5 miliard USD në vitin 2009, në 655.5 miliard USD në vitin 2022. Ndërsa si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto borxhi i jashtëm është rritur nga 13% e PBB në 2009, në 22.5% e PBB në vitin 2022. Njëkohësisht, borxhi i jashtëm në përqindje të eksporteve është rritur nga 74.5% në 140% gjatë të njëjtës periudhë.


Burimi : International Debt Statistics IDS

Struktura e kreditorëve të Afrikës po bëhet gjithashtu më komplekse. Ndërsa historikisht një pjesë e madhe e borxhit afrikan mbahej nga kreditorët shumëpalësh ose dypalësh, si klubi i Parisit, sot pjesa e kreditorëve privatë që mbajnë borxhin afrikan është rritur ndjeshëm. Në vitin 2009, vetëm 24% e borxhit afrikan mbahej nga kreditorët privatë. Deri në vitin 2022, kjo shifër ishte rritur në 43% të borxhit të saj. Kjo ngre disa vështirësi sepse ristrukturimi në kohë dhe i rregullt i borxhit është i kufizuar nga interesat e ndryshme të kreditorëve privat, kreditë private merren me kushte tregu duke rritur çmimin e borxhit dhe se koordinimi ndërmjet kreditorëve privatë është i kufizuar pasi nuk ka një mekanizëm formal të koordinimit të kreditorëve.

Në Afrikë, treguesit e borxhit tregojnë një tendencë të përkeqësuar vitet e fundit. Shërbimi i borxhit që përfshin interesat plus principalin është rritur nga 18.5 miliard USD në vitin 2009, në 89.3 miliard USD në vitin 2024. Në përqindje të shpenzimeve publike shërbimi i borxhit për të njëjtën periudhë është rritur nga 3.6% e shpenzimeve totale në vitin 2009, në 12% të shpenzimeve publike në vitin 2024. Numri i vendeve afrikane ku pagesat e interesit përbëjnë mbi 10% të të ardhurave të tyre është rritur nga 9 vende në vitin 2010, në mbi 25 vende në vitin 2022. Një pjesë më e lartë e të ardhurave të dedikuara për shërbimin e borxhit devijojnë burimet nga sektorë që popujt e këtyre vendeve kanë më shumë nevojë, duke përfshirë shëndetin, arsimin, zhvillimin dhe mbështetjen sociale. Mbi gjysma e popullsisë afrikane jeton në vende që shpenzojnë më shumë për pagesat e interesit sesa në sektorë të rëndësishëm social si shëndetësia, strehimi, arsimi dhe mbrojtja e klimës. Gjatë dekadës së fundit, vendet në zhvillim kanë parë rritje të pagesave të interesit me rreth 64%, ndërsa në Afrikë, pagesat e interesit janë rritur me 132% në të njëjtën periudhë në dëm të shpenzimeve për arsimin, kujdesin shëndetësor dhe investimet.


Burimi: International Debt Statistics (IDS), UNESCO, WHO GHED, IMF WEO

Në totalin e borxhit të jashtëm të vendeve të Afrikës prej 655.5 miliard USD, vetëm 87.3 miliard USD ose 13.3 përqind të barrës së borxhit të jashtëm vendet afrikane i detyrohen Kinës dhe huadhënësve kinezë. Ndërsa huadhënësit tregtarë dhe shumëpalësh janë kreditorët më të mëdhenj të borxhit të jashtëm total të Afrikës. Një numër studiuesish gjykojnë se pretendimi që borxhi i Kinës ndaj vendeve afrikane është një kurth, nuk qëndron. Në qershor 2022, sipas një raporti të studiuesve nga Universiteti i Kolumbias dhe Universiteti i Oksfordit, nënvizohet se ndërsa Kina është kreditori më i madh dypalësh i Afrikës, pjesa më e madhe e borxhit afrikan mbahet nga zotëruesit privatë perëndimorë, veçanërisht investitorët amerikanë dhe europianë. Borxhi kinez nuk është segmenti i borxhit me rritje më të shpejtë, ndërsa borxhi afrikan i zotëruar nga investitorë nga Amerika dhe Europa, është segmenti me rritjen më të shpejtë të borxhit afrikan në vitet e fundit.

Në vitin 2023, profesori i Shkollës së Ekonomisë në Londër, Keyu Jin, shkruan se pretendimi se Kina i çon huamarrësit në një kurth borxhi është çorientues. Jin vëren se pjesa më e madhe e borxhit të vendeve të BRI-së u detyrohet organizatave ndërkombëtare ose institucioneve private perëndimore. Jin shkruan gjithashtu se Kina ka falur shumë nga kreditë e saj dhe gjithashtu ka ofruar lehtësim borxhi për huamarrësit. Në prill 2023, Qendra e Politikave Globale të Zhvillimit të Universitetit të Bostonit publikoi një përmbledhje për të analizuar tetë shembuj të “rasteve të supozuara të diplomacisë së kurthit të borxhit” nga Kina dhe arriti në përfundimin se diplomacia e kurthit të borxhit nuk ishte shtytësja e politikave të Kinës për huadhënien dhe se ata nuk gjetën asnjë provë empirike për të vërtetuar se Kina kishte synuar të jepte hua me qëllim të kapjes së një aseti strategjik shtetëror, ose për një përfitim strategjik nëse një huamarrës nuk ishte në gjendje të shlyente borxhet.


Produktet e Afrikës së Jugut/CFP

Një punim kërkimor i botuar në prill 2023, në Gazetën e Rajonit të Oqeanit Indian, u përpoq të sqaronte nëse ekzistonte apo jo diplomacia e kurthit të borxhit. Ata nuk ishin në gjendje të gjenin “në asnjë rast një synim të Kinës për t’i ngarkuar vendet huamarrëse me borxhe për të fituar asete strategjike”. Në vitin 2023, akademiku Austin Strange arrin në përfundimin se studiuesit kanë sfiduar pretendimin e një kurthi të borxhit kinez dhe se analiza e projekteve të projektit një Brez një Rrugë nuk e vërteton narrativën e kurthit të borxhit.  Akademikët Yan Hairong dhe Barry Sautman përfunduan një studim në vitin 2024, duke treguar se pretendimi i kurthit të borxhit është i pasaktë. Gjithashtu duke shkruar në vitin 2024, akademiku Jamie Linsley-Parrish deklaron se hipoteza e kurthit të borxhit mbetet e pabazuar.

Huadhënia e Kinës për vendet e Afrikës ka në themel të saj financimin për zhvillimin e vendeve të Afrikës. Kina konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin ekonomik me vendet afrikane. Afrika është tani tregu i dytë më i madh kontraktues i Kinës dhe vendet afrikane gëzojnë lidhje të ngushta tregtare dhe ekonomike si rezultat i bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm dhe të favorshëm. Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Afrikës për 15 vjet rresht. Ai është gjithashtu burimi i katërt më i madh i investimeve në Afrikë. Shkëmbimet tregtare Kinë-Afrikë arritën një rekord prej 282.1 miliardë USD në vitin 2023. Për të rritur volumin e importeve nga Afrika, Kina ka hequr dorë nga tarifat për 98 për qind të importeve të tatueshme nga 21 vende më pak të zhvilluara në Afrikë. Janë hapur “korsi të gjelbra” për eksportet bujqësore afrikane në Kinë dhe ka ndihmuar produktet afrikane të hyjnë në tregun kinez nëpërmjet platformës ndërkufitare të e-tregtisë.

Në gjysmën e parë të këtij viti, Kina importoi mallra me vlerë 60.1 miliardë dollarë nga Afrika, një rritje e konsiderueshme nga viti në vit prej 14 për qind. Sasia e produkteve bujqësore që Kina importoi nga Afrika ka shënuar rritje pozitive për shtatë vite radhazi. Deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve kineze në Afrikë ka tejkaluar 40 miliardë dollarë. Kina ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Brez dhe Rrugë me 52 vende afrikane dhe Bashkimin Afrikan. Numërohen rreth 3,323 sipërmarrje kineze që kanë investuar në 52 vende afrikane, në fund të vitit 2022. Kompanitë kineze kanë nënshkruar mbi 700 miliardë USD kontrata dhe kanë gjeneruar më shumë se 400 miliardë dollarë të ardhura, duke përfunduar projekte të shumta historike në transport, energji dhe më gjerë. Që nga themelimi i Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë në vitin 2000, investimet kineze në Afrikë kanë ndihmuar në ndërtimin ose përmirësimin e më shumë se 10,000 kilometrave hekurudha, afro 100,000 km autostrada, 1,000 ura, 100 porte dhe 66,000 km transmetim dhe shpërndarje të energjisë. Më shumë se 4.5 milionë vende pune u krijuan për Afrikën.

Komuniteti ndërkombëtar do të duhet të zgjidh urgjentisht ristrukturimin dhe lehtësimin e borxhit të Afrikës, sepse në të kundërtën kontinenti do të futet në një krizë që do të marrë dekada nga e cila do të dalë. Kina ka treguar vullnetin e saj për të luajtur një rol në ristrukturimin e borxhit të jashtëm të disa vendeve afrikane. Kina, së bashku me Francën, po kryesojnë komitetin për lehtësimin e borxhit. Zgjidhja e qëndrueshmërisë së borxhit të Afrikës do të kërkojë bashkëpunimin e Kinës, kombeve afrikane, anëtarëve të Klubit të Parisit dhe aktorëve të tjerë kryesorë.

Burimi: CRI.CN

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.