Integrimi në BE, Peleshi: Opozita të jetë bashkëpunuese në Kuvend
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi ftoi sot opozitën të bashkëpunojë në Kuvend për të gjitha nismat që synojnë përmbushjen e objektivave të integrimit në Bashkimin Europian.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi ftoi sot opozitën të bashkëpunojë në Kuvend për të gjitha nismat që synojnë përmbushjen e objektivave të integrimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e mbajtur në çelje të sesionit të ri parlamentar, Peleshi rikonfirmoi frymën e kahershme të dialogut e bashkëpunimit të PS-së në sallën e Kuvendit dhe në komisionet dhe grupet e punës në Parlament.
“Ky vullnet i PS-së nuk vjen si aritmetikë numrash, për të shtuar numrat e mazhorancës, por si përpjekje e sinqertë për t’i dhënë qytetarëve ligje më të mira, debate të vërteta mbi problemet që i prekin”, tha ai.
Peleshi theksoi se “kjo vjen si domosdoshmëri për të arritur me sukses objektivat madhorë të procesit të integrimit europian të vendit”.
“Ka disa sfida të këtij parlamenti që nuk janë partiake e nuk i përkasin një mandati qeverisës. Ato kërkojnë një angazhim afatgjatë, sepse kanë lidhje me të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë. Të tilla janë nismat për të përmbushur objektivat e integrimit në BE”, tha Peleshi.
Ai theksoi se “në BE nuk do të integrohet qeveria shqiptare, por shteti shqiptar dhe shoqëria shqiptare, dhe shteti nuk është i partive”.
“Ndaj në këtë proces në parlament duhet të përfshihen përfaqësuesit e gjithë popullit. Ngritja e grupit të dialogut brenda Komisionit të Ligjeve si një filtrues politik paraprak për të gjitha nsimat që kërkojnë jo vetëm mazhorancë të kualifikuar, por edhe një konsensus më të gjerë është një arritje që PS dhe grupi i saj parlamentar do ta mbështesin dhe fuqizojnë më tej me një vullnet të qartë politik”, theksoi Peleshi.
Në këtë frymë, ai ftoi deputetët e opozitës t’i bashkohen aktivisht punës së sapofilluar në dy komisionet e posaçme parlamentare, shumë të rëndësishme për stadin ku ndodhet vendi.
Peleshi theksoi se “jemi sot më shumë se kurrë pranë anëtarësimit në BE”.
“Institucionet ligjzbatuese kanë bërë një punë të madhe drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Integrimi në BE ka qenë një mision historik dhe duhet të bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët”, shtoi ai.
Po ashtu, Peleshi theksoi se lajmet e rreme duhet të luftohen, prandaj duhet të mbështetet Komisioni për Dezinformimin.
“Qeveria po lufton për transparencë. Çështja e mbetjeve toksike u shndërrua në një çështje ku u fol përpara se hetuesit dhe institucionet të flasin. Të krijojmë një kulturë të re politike. Ne të kthejmë transparencën dhe ju të ikni nga gënjeshtra”, iu drejtua ai deputetëve të opozitës.
(ATSH)