Kolegji Zgjedhor rrëzon padinë e “Bashkë Fitojmë”, Vangjel Tavo fitues në Bashkinë Himarë
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimin e koalicionit Bashkë Fitojmë, të cilët kërkonin pavlefshmërinë e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës, që u mbajtën më 4 gusht.
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimin e koalicionit Bashkë Fitojmë, të cilët kërkonin pavlefshmërinë e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës, që u mbajtën më 4 gusht.
Kolegji Zgjedhor unanimisht ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili vlerësoi se duhej miratuar rezultati final i zgjedhjeve në Himarë, pasi nuk është konstatuar asnjë shkelje që do të ndryshonte rezultatin zgjedhor. Ky vendim i sotëm i hap rrugë betimit të kandidatit fitues të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo. Ky i fundit kandidoj nën logon e Partisë Socialiste dhe përballë kishte kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjirkuria.
Në një njoftim për mediat, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët Nafije Hasko (Relatore), Esmeralda Xhili, Manjola Xhaxho, Alma Kolgjoka dhe Sokol Ibi, shqyrtoi sot çështjet Nr.5 dhe Nr.6 të regjistruara më 30 gusht 2024, në një seancë të zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.
Në këtë proces, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, përfaqësuar nga avokatët Franci Nuri dhe Vangjel Dule, paditën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në 36 qendrat e votimit të Bashkisë Himarë.
Objekti i padisë përfshinte kërkesën për ndryshimin e vendimit të KAS dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë Himarë. Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të argumenteve, vendosi unanimisht rrëzimin e padisë së Koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”. Ky vendim është i formës së prerë dhe nuk lejohet ankim. (ATSH)