Programi i kodimit në shkolla, Rama: 35 mijë fëmijë të arsimit fillor në kurrikulën e re të TIK
Investimet në infrastrukturën digjitale dhe trajnimin e mësuesve janë të rëndësishme për të përgatitur nxënësit për sfidat e shekullit XXI.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në shkollën “Vaçe Zela”, në Tiranë, një nga 200 shkollat që janë pajisur me laboratorë SMART këtë vit.
I shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Rama pa nga afër ambientet e kësaj shkolle, duke u ndalur te laboratori i kodimit.
Rama solli në vëmendje zgjerimin e programit të kodimit, i cili tashmë përfshin 35 mijë fëmijë të arsimit fillor në kurrikulën e re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
“Harta digjitale në shkolla do të zgjerohet me 654 SMARTLab-e dy vitet e ardhshme, duke nxitur të mësuarit përmes platformave interaktive dhe rritur aftësitë digjitale të nxënësve tanë”, shtoi ai.
Shkolla “Vaçe Zela” në Tiranë, një nga 200 shkollat e pajisura me 216 laboratorë SMART këtë vit, krijon kushtet për nxënësit që të zhvillojnë aftësitë digjitale përmes platformave interaktive.
Ky investim është një hap i rëndësishëm në zgjerimin e programit të kodimit dhe integrimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në kurrikulën e re shkollore për 35 mijë nxënës të arsimit fillor.
Nxënësit e shkollës “Vaçe Zela” treguan se si përdorin laboratorin SMART për të zhvilluar aftësitë e tyre në lexim, shkrim dhe matematikë përmes zbatimit praktik të teknologjisë. Laboratori ka 18 laptopë dhe një tabelë interaktive, duke ofruar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e aftësive digjitale në arsimin fillor.
Ministrja Manstirliu tha se ky program i qeverisë shqiptare ka për qëllim të sigurojë që çdo shkollë në vend të ketë infrastrukturën e nevojshme digjitale për të mbështetur një arsimi më cilësor dhe të përshtatur me zhvillimet teknologjike globale.
“Ne po punojmë për të shtrirë rrjetin e laboratorëve SMART në 654 shkolla të tjera, jo vetëm në sistemin 9-vjeçar, por edhe në gjimnaz”, tha Manastirliu.
Ky investim në infrastrukturën digjitale, sipas Manastirliut është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit që ecën dhe zhvillohet paralelisht me trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve në aftësi digjitale.
“Kjo është faza e parë e investimit, dhe ne po trajnojmë 200 drejtues të shkollave dhe do të fillojmë trajnimin e 400 mësuesve të arsimit fillor këtë muaj. Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve synon të trajnojë rreth 16 mijë mësues për metodat më efektive të mësimdhënies.”, tha Manastirliu.
Investimet në infrastrukturën digjitale dhe trajnimin e mësuesve janë të rëndësishme për të përgatitur nxënësit për sfidat e shekullit XXI.
(Marrë nga ATSH)