Begaj pret ambasadorin e Kazakistanit: Interes për vendosjen e një linje direkte fluturimi Tiranë-Astana
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Kazakistanit në Shqipëri, Iskander Aisariyev.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Kazakistanit në Shqipëri, Iskander Aisariyev.
Presidenti Begaj i uroi Aisariyev mirëseardhjen në Shqipëri si Ambasadori i parë rezident i Kazakistanit në Tiranë, duke i garantuar mbështetjen e institucioneve shqiptare përgjatë shërbimit të tij diplomatik në vendin tonë.
“Hapja e Ambasadës së Kazakistanit në Tiranë dëshmon vullnet për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona mike”, theksoi Presidenti Begaj gjatë takimit me Ambasadorin Aisariyev, të cilit i shprehu vullnetin politik për të mbështetur dhe intensifikuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e dialogut dhe vizitave të mëtejshme të ndërsjella, në mënyrë që të promovohet bashkëpunimi dypalësh.
Shqipëria ka interes për nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, rritjen e investimeve kazake në sektorë, si: turizmi, energjia, agrobiznesi, ndërtimi infrastrukturor dhe industria e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve”, theksoi Presidenti Begaj.
Turizmi u cilësua si një fushë potenciale bashkëpunimi, që favorizohet edhe nga udhëtimi pa viza midis vendeve. Me interes u vlerësua dhe vendosja e një linje direkte fluturimi Tiranë-Astana.
Presidenti Begaj i përcolli Ambasadorit të Kazakistanit kërkesën për rishikim të qëndrimit në lidhje refuzimin e njohjes së Kosovës dhe mbështetje ndaj proceseve të saj integruese, ndërsa theksoi se është në interesin e përbashkët bashkëpunimi i mëtejshëm në organizatat ndërkombëtare.