Gonzato: Fondi i Ballkanit Perëndimor, projekte që mund të transformojnë vendet e rajonit
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mori pjesë në ceremoninë e 7-vjetorit të Fondit të Ballkanit Perëndimor.
4 nga 5 persona në Ballkanin Perëndimor i japin përparësi asaj që i bashkon dhe jo asaj që i ndan. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mori pjesë në ceremoninë e 7-vjetorit të Fondit të Ballkanit Perëndimor ku theksoi se në këtë kontekst, BE-ja po rinovon mbështetjen e saj për Fondin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë fazë të re të bashkëpunimit, BE ka përzgjedhur 12 projekte të reja rajonale, të cilat do të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe do të trajtojnë çështje sociale, kulturore dhe shkencore.
Këto projekte janë gjithashtu një mënyrë për të promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor.
“Jam shumë krenar për Fondin e Ballkanit Perëndimor – duke ndihmuar OSHC-të të zbatojnë projekte të reja të cilat nga ana e tyre kontribuojnë në ndërtimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse, të ndryshme dhe të barabarta”, u shpreh Gonzato.
“Këto janë ide dhe projekte që mund të transformojnë vendet e rajonit, të krijojnë rrjete të qëndrueshme rajonale dhe të hapin rrugën për integrimin e rajonit në BE”, tha ambasadori Silvio Gonzato.
(ATSH)