Menaxhimi i riskut të fatkeqësive natyrore, përmirësim i aftësive të rimëkëmbjes
Ky takim është pjesë e nismës globale “Forcimi i Kapaciteteve për Vlerësimin e Krizave dhe Planifikimin e Rimëkëmbjes”, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga UNDP.
Përmirësimi i aftësisë së vendeve për t’u përballur me sfidat e fatkeqësive dhe për të siguruar një rimëkëmbje të suksesshme, është në fokus të takimit dyditor që po mbahet në Tiranë, si pjesë e fazës së katërt të një projekti global të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga PNUD-i.
Ky aktivitet dyditor, i organizuar së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbledh më shumë se 60 përfaqësues nga qeveria shqiptare, Bashkimi Evropian, vendet fqinje dhe partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë e organizata që mbështesin sistemin e Menaxhimit të Riskut të Fatkeqësive në Shqipëri.
Takimi synon të adresojë përmirësimin e aftësive të Shqipërisë për rimëkëmbjen nga fatkeqësitë, duke u bazuar në përvojat e mëparshme nga zbatimi i Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofës (PDNA). Ajo ka për qëllim të mbështesë qeverinë në adoptimin e një qasjeje PDNA në nivel kombëtar për përpjekjet e ardhshme të rimëkëmbjes pas fatkeqësive.
Gjatë sesionit hapës, përfaqësues nga qeveria, Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) theksuan rëndësinë e kësaj nisme. Qeveria shqiptare, duke reflektuar mbi përgjigjen ndaj tërmetit të vitit 2019, riafirmoi angazhimin e saj për të adoptuar metodologjinë PDNA për vlerësimin e dëmeve dhe humbjeve në fatkeqësitë e ardhshme.
Ngjarja përfshin diskutime, prezantime mbi metodologjinë PDNA dhe rishikime të mësimeve të nxjerra. Ajo gjithashtu prezanton procesin PDNA për pjesëmarrës të rinj nga Shqipëria dhe rajoni. Delegatë nga Ballkani Perëndimor, përfshirë përfaqësues të UNDP dhe autoritete kombëtare, janë të pranishëm për të shkëmbyer njohuri dhe për të mësuar nga përvoja e Shqipërisë.
Çështjet kryesore të trajtuara në kete takim përfshijnë sistemin e menaxhimit të fatkeqësive në Shqipëri dhe përdorimin e PDNA pas tërmetit të vitit 2019, metodologjinë PDNA për vlerësimin e dëmeve dhe nevojave për rimëkëmbje, dhe zhvillimin e strategjive kombëtare të rimëkëmbjes. Pjesëmarrësit do të eksplorojnë gjithashtu mësimet nga përvojat e vendeve të tjera me PDNA, do të analizojnë ndikimet makro-ekonomike dhe njerëzore, do të diskutojnë financimin e përpjekjeve për rimëkëmbje dhe do të identifikojnë sektorët prioritare për zhvillimin e PDNA në Shqipëri.
Ky takim është pjesë e nismës globale “Forcimi i Kapaciteteve për Vlerësimin e Krizave dhe Planifikimin e Rimëkëmbjes”, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga UNDP.
(ATSH)