BB, asistencë teknike për harmonizimin e politikave fiskale me kërkesat e anëtarësimit në BE
Banka Botërore po ofron asistencë teknike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për forcimin e rregullave fiskale dhe institucioneve të pavarura fiskale për të mundësuar harmonizimin me kërkesat e anëtarësimit në BE në Kapitullin 17
Banka Botërore po ofron asistencë teknike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për forcimin e rregullave fiskale dhe institucioneve të pavarura fiskale për të mundësuar harmonizimin me kërkesat e anëtarësimit në BE në Kapitullin 17, por edhe për të forcuar përgjegjësinë fiskale në vende.
Përfaqësues nga Ministria e Financave dhe zyrtarë nga rajoni të specializuar në politikat makro, ekspertë të Bankës Botërore ndanë njohuritë e tyre për modelet makroekonomike, qendrueshmërinë e borxhit dhe parashikimet afatmesme gjatë një aktiviteti të zhvilluar në 23- 24 shtator në Zagreb, me temë “Rregullat fiskale dhe këshillat fiskale – Forcimi i qeverisjes fiskale në Ballkanin Perëndimor”.
Parashikimet e sakta janë thelbësore për të pasur një buxhet qeveritar të besueshëm dhe një menaxhim efektiv të financave publike.
Me mbështetjen e Bashkimit Europian, Banka Botërore po ndihmon Ministritë e Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në forcimin e kapaciteteve të tyre për parashikimet dhe modelimet makrofiskale.
Në fokus të bashkëpunimit janë trajnimet me stafet e ministrisë së Financave, zyrat e statistikave, pushtetin vendor dhe institucionet e tjera të linjës për ndërtimin e modelit makro-strukturor i cili do t’i mundësonte stafit të kryejë parashikime afatgjata të rritjes, duke llogaritur produktin potencial, si dhe duke simuluar ndikimin e reformave të ndryshme të politikave.
BB ndërkohë po vijon diskutimin e opsioneve për ngritjen e këshillit fiskal në Shqipëri. Më 10 qershor, ekipi i Bankës u takua me Ministrinë e Financave dhe Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar opsionet e mundshme për krijimin e një këshilli të pavarur fiskal.
(ATSH)