Dashuria peng!
“Shko.
Unë s’mund të të mbaj dot peng,
sado fort që të dashuroj…”
Nga Kliton Nesturi
DASHURIA PENG
Lermë këtu ku jam dhe nisu
në shtegtimin e zemrës.
Tashmë i moshuar nga vitet dhe humbjet
nuk të ndjek dot pas.
Shko,
dhe përshkoji hapësirat pa frikë
e pa kokëthyerje,
pa të të vrarë brenga as edhe një grimë.
Në fund të fundit,
ajo që po lë pas,
është më e vogël se universi që të pret.
Dashuria është shtegëtim,
liri e pa fundme,
deri sa shuhet vetvetiu
e tretet si meteor.
Unë do të qëndroj këtu,
në dheun dhe baltën prej nga dola
mes gjelbërimit të pyllit,
aromës së fushës,
lumit që rrjedh,
qiellit, të cilin e përdor si strehë.
Mos u shqetëso për mua!…
Trupi im është thinjur,
e fatkeqësisht s’i përgjigjet shpirtit,
ai nuk mund të shkojë më tej, askund.
Tashmë i ka mbetur të kërruset
deri sa të rrëzohet për të fundit herë.
Shko.
Unë s’mund të të mbaj dot peng,
sado fort që të dashuroj.
Një dashuri-peng nuk i duhet askujt.
Ajo është gjithmonë një foshnjë që lind e vdekur,
një arkëmort i hapur,
një varr i pambuluar ,
që vetëm pret të përpijë.
Andaj
nuk e dua dashurinë e marrë peng,
Njëjtë siç nuk dua një jetë
që nuk e jetoj dot.
Lëri vështrimet zhgënjyese. Mos humb kohë me to…
Fatkeqësisht jam i sinqertë.
Më shumë se sa të kam dhënë,
nuk mundem të të ofroj më.
Shko dhe ndiq shtegëtimin e zemrës
në hapësira të reja
dhe jeto ashtu siç e ke ëndërruar lumturinë
duke i qëndruar besnike vetvetes.
Unë jam dhe do të mbetem këtu,
duke u lumturuar në heshtje për ty.
(Botuar ne librin “I lindur bohem”, 2023, Botimet M&B)