25 familje në Burrel me apartamente të reja, Gonxhja: Përmirësime të tjera në programin e strehimit
Enti Kombëtar i Banesave ka përfunduar objektin në Burrel, ku do të strehohen 25 familje përfituese.
Enti Kombëtar i Banesave së fundi ka përfunduar ndërtimin e objektit 6-katësh në Burrel, ku do të strehohen 25 familje përfituese sipas ligjit nr.22/2018 “Për strehimin social” (i ndryshuar).
Në ceremoninë e organizuar sot ku ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u dorëzuan çelësat e apartamenteve për këto 25 familje, në Burrel.
“Do të kemi së shpejti një përmirësim të programit të strehimit “Një fëmijë, një çati” ku do të fillojmë të kemi edhe paketa për familjet që kanë një fëmijë, që bëjnë fëmijën e parë edhe për punonjës, të cilët të lidhur me zona të ndryshme zhvillimore të vendit do të kenë nevoja strehimi në vende ku nuk ka mundësi strehimi dhe ne do ndërhyjmë edhe për këto. Po përgatitet edhe një paketë tjetër nga ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për vitin e ardhshëm dhe në vijim për një qasje edhe më të rëndësishme siç është nevoja për strehim”, theksoi Gonxhja.
Trualli në të cilin është ndërtuar objekti ku do strehohen 25 familjet me një sipërfaqje 4175 m2, dikur ka qenë ish-ndërtesa e përpunimit të drurit, e paprivatizuar dhe është ofruar nga Bashkia Mat në funksion të EKB-së. Në truallin e ofruar do të ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave edhe dy objekte të tjera 6-katëshe në ndihmë të familjeve në nevojë.
Ndërtimi i objektit në Burrel ka zgjatur 2.5 vjet. Afati i përfundimit të ndërtimit të objektit ka qenë 480 ditë kalendarike. Banesat janë me kosto të ulët (BKU) sipas politikave të strehimit të qeverisë Shqiptare.
Çmimi i kontratës së ndërtimit të objektit është 80.891.187 lekë. Fondi limit i prokuruar ishte 97.069.373 lekë dhe kosto 36.425 lekë m2. Vlera totale e objektit është 85,000,000 lekë.
Objekti është i kolauduar me sistem kapot dhe eficiencë energjie. Pallati i parë në Mat me ashensor. Në objektin e ndërtuar janë 9 njësi shërbimi dhe 12 garazhe automjetesh nëntokësore, për herë të parë në Mat. Njësitë e shërbimit dhe garazhet shiten nëpërmjet ankandit. Nga 25 familje përfituese, 15 kanë përfituar apartamente me strukturë 2+1 dhe 10 familje kanë përfituar apartamente me strukturë 1+1.
Në kategoritë përfituese: 5 familje janë me persona me aftësi të kufizuar (PAK); 3 nëna kryefamiljare; 2 familje me më shumë se 4 fëmijë; 12 çifte të reja mosha e anëtarit më të madh 40 vjeç; 3 familje në nevojë; 1 familje e komunitetit rom e cila i përket dhe kategorisë së familjeve me çifte të reja.