75 vite RPK – një komb që mori në dorë fatin e tij dhe i rrëfen botës një histori suksesi

Më 1 tetor 2024 mbushen plot 75 vite nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës (RPK), dhe janë treçerek shekulli ku Kina i ka shpalosur botës një nga tregimet më mbresëlënëse të transformimit të një kombi.

default

Nga Dr. Marsela Musabelliu

Më 1 tetor 2024 mbushen plot 75 vite nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës (RPK), dhe janë tre- çerek shekulli ku Kina i ka shpalosur botës një nga tregimet më mbresëlënëse të transformimit të një kombi.


Foto nga VCG

Ky transformim nga një vend i varfër në ekonominë e dytë më të madhe në botë, është një shembull i jashtëzakonshëm se si një komb mund të marrë në dorë kontrollin e fatit të tij dhe të ketë sukses duke iu përshtatur kushteve të veta.

Udhëtimi i Kinës jo vetëm që ka riformësuar dinamikën e saj të brendshme, por gjithashtu ka ndryshuar politikën, ekonominë dhe tregtinë globale. Sot, historia e zhvillimit të Kinës ofron mësime të vlefshme mbi udhëheqjen, zhvillimin, reformimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Për më shumë se shtatë dekada, transformimi i Kinës ka qenë një fenomen botëror. Duke u ngritur nga rrënojat e luftës, shfrytëzimi kolonial dhe fraksionet e brendshme, Kina është shfaqur si një superfuqi politike dhe ekonomike, duke përcaktuar vetë, dhe nga brenda, rrugën e saj. 75 vitet e fundit kanë qenë dëshmitarë të një vendi që dikur konsiderohej i mënjanuar nga skena, dhe tashmë është shndërruar në një forcë globale tërheq, merr vëmendje dhe ndjell respekt.

Konteksti historik dhe udhëkryqet e një vendi

Në vitin 1949, pas dekadave të pushtimit të huaj, luftës civile dhe paqëndrueshmërisë politike, u shpall themelimi i Republikës Popullore të Kinës (RPK). Ishte një moment me domethënie të thellë për një komb që ishte pushtuar nga fuqitë e huaja nga mesi i shekullit të 19-të deri në fillim të shekullit të 20-të. Për një kohë të gjatë, Kina ishte dobësuar nga një kombinim i ndarjes së brendshme dhe shfrytëzimit të huaj, nga Luftërat e Opiumit deri te kolonizimi. Krijimi i RPK-së shënoi herën e parë në shekuj që populli kinez filloi të rimarrë kontrollin mbi fatin e tij.


Foto nga VCG

Në kohën e themelimit të saj, Kina ishte kryesisht agrare dhe e varfër. Vendit iu desh të kapërcejë pengesa të mëdha – shkallën e ulët të arsimimit, ekonominë e dobët dhe infrastrukturën industriale pothuajse inekzistente. Megjithatë, udhëheqja qendrore, e vendosur për të rindërtuar vendin nga themelet, zbatoi politika që synonin transformimin e Kinës në një shtet të fortë, të bashkuar dhe të pavarur. Kjo nënkuptonte kërkimin e një rruge të brendshme – kineze dhe për kinezët – dhe refuzimin e modeleve të imponuara nga fuqitë e huaja. Vizioni i lidershipit kinez të pasluftës u karakterizua nga politika radikale që synonin transformimin social dhe ekonomik. Në fakt ishin përpjekje ambicioze për të revolucionarizuar shoqërinë dhe ekonominë e Kinës. Në hedhjen e themeleve për Kinën moderne ishin reformat e tokës, krijimi i ndërmarrjeve shtetërore, etj., por mbi të gjitha ishte unifikimi i vendit. Ndasitë dhe përçarjet i kishin kushtuar shumë kinezëve në të shkuarën, kështu që prej shpalljes së RPK-së uniteti ishte fjala kyçe.


Foto nga VCG

Pika e kthesës për Kinën erdhi në fund të viteve 70-të, kur u aplikuan një sërë reformash ekonomike që lëvizën trajektoren e vendit. Politikat e “reformës dhe hapjes” bënë që Kina të përqafojë mekanizmat e tregut. Pragmatizmi i mundësoi Kinës të ndiqte një model hibrid – duke kombinuar socializmin me karakteristikat kineze dhe një politikë të dyerve të hapura për investimet e huaja. Gjatë disa dekadave të ardhshme, u shndërrua në “fabrikën e botës”, duke eksportuar mallra në një shkallë të paprecedentë, duke zhvilluar njëkohësisht ekonominë e saj vendase. Reformat e sinjalizuan gjithashtu integrimin e Kinës në ekonominë globale. Anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në vitin 2001 e forcoi pozicionin e saj si një lojtar kyç në tregtinë ndërkombëtare. Kina u bë një qendër globale e prodhimit, duke tërhequr miliarda në investime të huaja direkte dhe duke zhvilluar industri që do të rivalizonin konkurrentët nga çdo cep i botës.

Mrekullia ekonomike dhe transformimi social

Rritja ekonomike e Kinës në vitet e fundit ka qenë befasuese. Sot, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe suksesi i modelit ekonomik të saj qëndron në përzierjen unike të kontrollit shtetëror dhe iniciativave të drejtuara nga tregu. Gjatë 75 viteve , PBB-ja e Kinës është rritur nga 67.9 miliardë juanë (9.67 miliardë dollarë) në 1952 në 126 trilion juanë në vitin 2023, që përbën afërsisht 17% të ekonomisë globale. Prodhimi i saj ekonomik kombëtar është rritur 223 herë dhe PBB-ja për frymë është rritur nga 119 juanë në 1952 në mbi 89,000 juanë vitin e kaluar.


Foto nga VCG

Ndoshta ndikimi më i thellë i rritjes së Kinës ka qenë tek njerëzit e saj. Çrrënjosja e varfërisë ekstreme dhe heqja e mbi 850 milionë njerëzve nga varfëria, një arritje e njohur nga Kombet e Bashkuara si një nga fushatat më të mëdha kundër varfërisë në historinë e njerëzimit është në praktikë arritja më e madhe.

Nën sloganin “askush nuk do të mbetet pas” Kina ka bërë të mundur që të gjithë të fitojnë nga dividentët e zhvillimit. Ky sukses është rezultat i investimeve të qëndrueshme në arsim, shëndetësi dhe zhvillim rural. Fokusi strategjik i Kinës në kapitalin njerëzor, i kombinuar me industrializimin e saj të shpejtë, krijoi mundësi për miliona qytetarë të saj për të lëvizur nga zonat rurale në ato urbane, duke kontribuar kështu në një klasë të mesme në zgjerim. Rritja e kësaj klase të mesme ka nxitur konsumin dhe inovacionin, duke nxitur më tej rritjen ekonomike.

Urbanizimi ka qenë një tjetër komponent kritik i transformimit social të Kinës. Kina ka demonstruar vazhdimisht një qasje largpamëse, duke bërë investime masive në rrugë, hekurudha, aeroporte dhe qendra urbane që kanë mbështetur ambiciet e tij industriale dhe ekonomike. Krijimi i rrjetit më të madh hekurudhor të shpejtësisë së lartë në botë është një nga arritjet më domethënëse të Kinës, duke lidhur rajone të largëta dhe duke reduktuar në mënyrë drastike kohën e udhëtimit.


Foto nga VCG

Gjatë dekadave të fundit, qeveria i ka drejtuar burimet drejt modernizimit , duke i kthyer qendrat dikur të “përgjumura” në metropole plot gjallëri që rivalizojnë kryeqytetet globale në infrastrukturë, kulturë dhe biznes. Ky lulëzim urban ka riformatuar mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe punojnë, duke e integruar më tej Kinën në ekonominë globale.

Kina dhe bota

Qytetërimi kinez karakterizohet nga vazhdimësia, gjithëpërfshirja dhe hapja e tij unike. Që nga kohët e lashta, Kina ka mbështetur parimet e vlerësimit të harmonisë dhe të bashkëjetesës dhe ka ndjekur vazhdimisht angazhimin diplomatik dhe tregtinë në vend të agresionit dhe zgjerimit. Historikisht, Kina ka duruar vuajtje të konsiderueshme nga kolonializmi dhe hegjemonizmi. Këto përvoja kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në psikikën kineze, duke nxitur simpati të thellë për grupet e tjera që përballen me shfrytëzimin dhe shtypjen. Nga vitet e para sfiduese pas themelimit të RPK-së deri në zhvillimin e saj të mëvonshëm, është përpjekur vazhdimisht të mbështesë vende të tjera në zhvillim, duke mbrojtur dhe promovuar një rend global më të barabartë.


Foto nga VCG

Ndërsa fuqia ekonomike e Kinës është rritur, po ashtu është rritur edhe impakti i saj global. Vitet e fundit, Kina ka luajtur gjithnjë e më shumë një rol udhëheqës në skenën botërore, jo vetëm në ekonomi, por në qeverisjen dhe diplomacinë. Iniciativa e Kinës “Një brez, një rrugë” p.sh., e nisur në vitin 2013, është ndoshta manifestimi më i qartë i qasjes së saj ndaj botës. Nëpërmjet investimeve në infrastrukturë në të gjithë Azinë, Afrikën, Evropën dhe Amerikën Latine, Kina ka kërkuar të krijojë një Rrugë moderne të Mëndafshit që përmirëson rrugët tregtare dhe thellon lidhjet midis kombeve, duke ofruar mundësi zhvillimi për vendet e tjera. Duke financuar portet, hekurudhat dhe projektet energjetike në vendet në zhvillim, Kina e ka pozicionuar veten si një ofertuese e një gamë të gjerë suporti për vendet që kanë qenë prej kohësh të margjinalizuara në rrjetet e tregtisë globale.

Për sa i përket diplomacisë, Kina e ka pozicionuar veten si një lojtar kyç në organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe G20. Udhëheqja e saj në forumet që trajtojnë çështje globale ka treguar se Kina nuk është më një pjesëmarrëse e thjeshtë në to, por një bashkë-formësuese e normave ndërkombëtare.

Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina ka marrë gjithnjë e më shumë një rol të vendosur në përkrahje të kauzave të vendeve pa fuqi negociuese. Nga ana tjetër, nëpërmjet organizatave si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe nismave si BRICS, Kina po prezantohet si një mbështetëse e “Jugut Global” ose vendeve në zhvillim, duke mbrojtur një formë të re, më gjithëpërfshirëse të globalizimit.


Foto nga VCG

Strategjia diplomatike e Kinës udhëhiqet nga parimi i saj i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Kjo e ka lejuar Kinën të ndërtojë marrëdhënie me kombet që janë margjinalizuar nga sistemi tradicional ndërkombëtar, duke ofruar një alternativë bashkëpunimi të bazuar në respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta ekonomike.

Zhvillimi gjatë 75 viteve të fundit ka rritur ndjeshëm forcën kombëtare të Kinës, duke e bërë atë një gur themeli të domosdoshëm për ruajtjen e sigurisë globale. Nga mbështetja e multilateralizmit deri tek mbrojtja e vendeve më të dobëta, Kina ka treguar se progreset e gjithanshme të saj dhe rolet e saj si mbrojtëse e paqes, kontribuuese e zhvillimit, nuk kanë ngelur vetëm brenda kufijve të saj. Kina u tregoi vendeve në zhvillim se mund të përfitohet shumë nga qeverisja dhe udhëheqja e qëndrueshme veçanërisht në balancimin e shtetit, reformave ekonomike dhe politikave sociale. Mbi të gjitha, ka shumë mësime për të nxjerrë nga modernizimi i stilit kinez, i cili synon të përmbushë aspiratat e njerëzve për një jetë më të mirë.

Lidershipi i Kinës

RPK-ja që bën treçerek shekulli nuk mund të konceptohet pa lidershipin e mishëruar në Partinë Komuniste të Kinës. Siç përcaktohet në një dokument i PKK-së të para disa viteve, “Sistemi më i përshtatshëm për një vend përcaktohet nga historia, traditat dhe realitetet e tij. Ka shumë lloje të sistemit të partive politike në të gjithë botën, dhe nuk ka një sistem të vetëm që është i mirë për të gjitha vendet.” Për kinezët PKK-ja mishëron thelbin e traditave kineze, pasqyron kërkesat e brendshme të socializmit, përputhet me realitetin e Kinës dhe nevojat e saj në qeverisjen e kombit. Dhe vetë sistemi kinez vjen si rezultat i përshtatjes së teorisë së partisë politike në drejtim, vendosur në kontekstin vendas.


Xi Jinping betohet për marrjen e detyrës së presidentit pas daljes së rezultateve zgjedhore, 2018/ Xinhua

Roli i PKK-së në udhëheqjen e vendit u konfirmua dhe konsolidua gjatë revolucionit, zhvillimit ekonomik dhe reformës së Kinës. Populli iu përgjigj thirrjes së PKK-se dhe pranoi lidershipin e saj dhe ajo është në pozitë udhëheqëse dhe Kushtetuta përcakton se, “Sistemi socialist është sistemi themelor i Republikës Popullore të Kinës. Udhëheqja nga Partia Komuniste e Kinës është tipari përcaktues i socializmit me karakteristikat kineze.”

Për kinezët ky sistem ka funksionuar dhe në epokën e re do të vazhdojë të pasurojë teoritë e tij, të përmirësojë institucionet dhe të sigurojë efikasitetin e tij maksimal, brez pas brezi, duke vënë në jetë premtimet për përmirësimin e jetës së popullit.

Në këtë 75 vjetor, socializmi me karakteristika kineze ka hyrë në një epokë të re. Një epokë ku thelbi është përmirësimi i vazhdueshëm i çdo aspekti të jetës së njerëzve dhe drejtimi i vendit bëhet me prioritete të qarta, plane të mirëpeshuara, skema politike të analizuara kthjellët, dhe bindja se e ardhmja do të jetë më e mirë. Duke konsoliduar qasjen teorike në drejtimin e vendit, synimet zhvillimore bëhen të palëkundura. Duke parë nga e ardhmja rruga është e qartë, në fjalët e Presidentit Xi “Vetëm duke ecur përpara me përkushtim dhe këmbëngulje të palëkundur do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi thirrjes së kohës sonë dhe të përmbushim pritshmëritë e popullit.”

Së fundmi, historia e Kinës gjatë 75 viteve të fundit është një dëshmi e aftësisë së një kombi për të përcaktuar rrugën dhe për të formësuar fatin e tij. Kina vazhdon të ndërtojë mbi arritjet e saj dhe të përshtatet me sfidat e një bote gjithnjë në ndryshim. Ndërsa vazhdon në rrugën e palëkundur për përmirësim, zhvillim dhe arritje, premtimi i 75 viteve të ardhshme të Kinës është se do të jetë po aq transformuese sa ato që po lemë pas. Dhe, duke parë nga jashtë Kinës, dhe me projektim nga e ardhmja, pritet që roli i Kinës në formësimin e rendit global do të jetë një nga narrativat përcaktuese të epokës moderne dhe shekullit tonë.

Burimi: CRI.CN

Libri për ekuilibrin njerëzor!

"Tetori i Librit" do të flasë për rolin si një mjet zhvillimi në raport me kohën, njeriun, shpirtin dhe evolucionin.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Libri për ekuilibrin njerëzor!

"Tetori i Librit" do të flasë për rolin si një mjet zhvillimi në raport me kohën, njeriun, shpirtin dhe evolucionin.