Kumbaro në forumin rajonal të ruajtjes së natyrës: Zgjerim i sipërfaqes së zonave të mbrojtura
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit mori pjesë në Forumin rajonal të Ruajtjes së Natyrës në Bruges, Belgjikë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në Forumin rajonal të Ruajtjes së Natyrës në Bruges, Belgjikë.
Kumbaro prezantoi modelin e Shqipërisë në mbrojtje të natyrës dhe zgjerimit të sipërfaqes së zonave të mbrojtura.
“Prezantova modelin e Shqipërisë në mbrojtje të natyrës dhe zgjerimit të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, duke gjetur balancën e duhur mes pasurive natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit me simbol të padiskutueshëm Vjosën, së cilës po i shtohet jehona në Europë për gjithë vlerat që mbart”, u shpreh ministrja.
Në Forum ishin të pranishëm edhe drejtorja e përgjithshme e IUCN Grethel Aguilar, si dhe drejtori i Zyrës së Europës, Boris Erg.
Forumi rajonal për Ruajtjen e Natyrës e gjen këtë vit Shqipërinë si anëtaren më të re në nivel shteti me të drejta të plota vendimmarrëse.
Po sot, ministrja firmosi dosjen e përgatitur për t’u dorëzuar në UNESCO për përfshirjen e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera”.
“Njeriu dhe biosfera” është një nga kategoritë më interesante që ka UNESCO, kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën.