KLP do të përfaqësohet me dy anëtarë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përfaqësohet në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” me 2 anëtarë, Arta Mandro dhe Vate Staka.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përfaqësohet në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” me 2 anëtarë, Arta Mandro dhe Vate Staka.
Emrat e anëtarëve u caktuan në mbledhjen e së hënës së këtij institucioni që ishte jo formale.
Në përgjigje të interesimit të medieve, KLP vuri në dukje se dakordësia për emrat është arritur pasi në një mbledhje të mëparshme, KLP diskutoi jashtë rendit të ditës, mbi përmbushjen e një detyrimi për përfaqësimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, me një anëtar prokuror dhe një jo-prokuror.
“Kjo kërkesë nga ana e Kuvendit, vjen si bashkëpunim me Këshillin, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Progres Raportit, Raportit Screening, Rezolutës së Kuvendit për thellimin e reformave etj.”, thuhet në njoftimin e KLP për këtë mbledhje.
Po ashtu, në njoftim theksohet se pas propozimeve të ndryshme, Këshilli vendosi të vazhdojë diskutimet mbi përzgjedhjen e dy emrave në seancën informale. Kjo e fundit ka përzgjedhur edhe emrat e anëtareve që do të marrin pjesë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion në Kuvend.
Sot Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se nuk do të përfaqësohet me ekspertë në këtë komision, ndërsa disa ditë më parë, edhe SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë deklaruan se nuk do të jenë pjesë e komisionit parlamentar me ekspertë, por janë të gatshëm për të ofruar kontribut përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky komision.
(ATSH)