Ndryshimet në ligjin “Për bashkëpronësinë”, Mazniku: Bashkitë me rol më aktiv
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ka prezantuar sot dy nisma të rëndësishme gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ka prezantuar sot dy nisma të rëndësishme gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ.
Në një postim në rrjetet sociale, Mazniku bëri të ditur se nisma e parë kishte të bënte me disa propozime për ndryshimin e ligjit “Për Bashkëpronësinë”, me qëllim përmirësimin e mënyrës së mirëmbajtjes së ambienteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit. Sipas propozimit, bashkitë do të kenë një rol më aktiv, duke urdhëruar inspektime të ndërtesave dhe duke vendosur tarifa mirëmbajtjeje nëse bashkëpronarët nuk arrijnë një marrëveshje.
Nisma e dytë vjen pas detyrës së përcaktuar në mbledhjen e përbashkët mes Qeverisë dhe Bashkive në Shkodër, që parashikon krijimin e një platforme online për Kryetarët e Bashkive. Përmes kësaj platforme, kryetarët do të kenë mundësinë të diskutojnë periodikisht me përfaqësues të kabinetit qeveritar për të koordinuar punët dhe për të trajtuar problematikat që kërkojnë bashkëpunim të ndërsjellë. Mazniku njoftoi se platforma tashmë është gati dhe mbledhja e parë do të zhvillohet së shpejti.
(ATSH)