Begaj në Malin e Zi: Me rëndësi forcimi i lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në Tivat të Malit të Zi përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik shqiptar.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në Tivat të Malit të Zi përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik dhe u bëri thirrje që, pavarësisht ngjyrave partiake, të jenë të bashkuar për mbrojtjen e interesit shqiptar.
Kreu i Shtetit shfrytëzoi vizitën në Malin e Zi, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptarë atje problematikat e tyre dhe të faktorit shqiptar në tërësi.
Ashtu si vitin e shkuar në Manastir të Maqedonisë së Veriut, gjatë ditës së Alfabetit, ku bashkoi përfaqësuesit shqiptarë të kaheve të ndryshëm politikë, edhe në Tivat, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat.
“Për çështje madhore kombëtare, – theksoi Presidenti Begaj, – ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri -tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, theksoi Presidenti i Republikës së. Bajram Begaj.
“Ne ndër vedi nuk mund të vendosim gardhe”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit.
Kreu i Shtetit përgëzoi përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi për atë që kanë bërë dhe bëjnë në interes të shqiptarëve dhe i këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare: “Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve,me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se, duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm.
Gjithashtu, ai u shpreh se, asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.
Presidenti i Republikës përgëzoi miratimin e tekstit të abetares së përbashkët në shkollat e Malit të Zi, ku mësimi bëhet ne gjuhën shqipe. Nga sot e tutje, në shkollat shqipe, nxënësit do të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin libër si moshatarët e tyre në Kosovë dhe Shqipëri.
Duke e theksuar rëndësinë e kësaj arritjeje, Kreu i Shtetit u shpreh se, “Abetarja është ajo që na mëson gjuhën dhe gjuha është rrënja e kombit. Pa gjuhë, nuk ka komb”.
Gjatë bisedës me Presidentin, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi evidentuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik, kulturor e politik të vendit dhe u shprehën shpresëplotë për pritshmëritë në forcimin e pozitës së tyre në të ardhmen.
Ata, gjithashtu, siguruan se, me kontributin e tyre në jetën politike dhe ekonomike në Malin e Zi, do të vazhdojnë të jenë faktor të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Presidenti Begaj i siguroi ata se ai personalisht do të mbështesë çdo inciativë që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.
(ATSH)