Biznesi vlerëson përmirësimin e procedurave doganore
Në Shkodër u mbajt forumi Biznes-Dogana, ku u diskutua mbi lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe vijimin e informatizimit të shërbimeve doganore.
Në Shkodër u mbajt forumi Biznes-Dogana, ku u diskutua mbi lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe vijimin e informatizimit të shërbimeve doganore.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli në fjalën e tij theksoi se ka ndryshuar tërësisht qasja ndaj biznesit, ndërsa vuri në dukje se misioni kryesor i DPD-së është të sigurojë procedura doganore transparente në funksion të realizimit të të ardhurave për buxhetin e shtetit.
“Në këto vite kemi ndryshuar tërësisht qasjen ndaj biznesit me filozofinë që doganat janë një institucion që i shërben biznesit dhe që ka mision kryesor për të siguruar procedura doganore transparente dhe të parashikueshme, në funksion të realizimit të të ardhurave për buxhetin e shtetit, por duke mbajtur ekuilibrin e duhur mes lehtësimit të procedurave dhe kontrolleve doganore”, u shpreh ai.
Sipas Gazhelit, zhvillimi i sistemeve teknologjike është një proces i vazhdueshëm drejt përmirësimit.
“Të dhënat nga sistemi tregojnë se kemi ulje domethënëse të kohës së përpunimit të deklaratave në të gjitha kanalet e riskut, ndërkohë që janë përmirësuar ndjeshëm vlerësimet me transaksion që për periudhën janar-gusht ishin 97%, shifra më e lartë e përdorimit të transaksionit”, vijoi Gazheli.
Ai ftoi bizneset të aplikojnë për Statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe Eksportues të Autorizuar, status i lëshuar për bizneset me besueshmëri të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.
Bizneset nga ana e tyre vlerësuan përmirësimin e procedurave doganore dhe shtimin e aplikacioneve të reja që iu mundësojnë akses në kohë reale duke parë në mënyrë transparente çdo fazë të miratimit të aplikimeve, lehtësimeve, përjashtimeve nga taksat etj.
Shqipëria votoi në dhjetor të 2023-shit Konventën Rajonale mbi Rregullat e Origjinës Preferenciale Pan–Euro-Mediteriane.
Sipas Konventës së votuar sot, nga data 1 janar 2025 certifikata e origjinës së mallrave do të lëshohet në mënyrë elektronike me nënshkrim digjital duke reduktuar kohën dhe kostot për bizneset mbi origjinën e mallrave si në import ashtu dhe në eksport.
Përdorimi i certifikatës elektronike të origjinës do të lehtësojë bizneset në eksportet dhe importet drejt/nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, vendet e EFTA, vendet e CEFTA, Turqia, Ukraina, Gjeorgjia dhe vendet e Paktit të Barcelonës.